Në muajin prill, në platformën e-Albania kishte 15 285 204 vizita, një rritje e konsiderueshme kjo krahasuar me muajin shkurt ku kishte 4 409 330 vizita. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj informoi mbi të dhënat e punës së e-Albania.

“Ne jemi krenarë, jo vetëm për faktin që patëm mbi 15 milionë vizita në portal gjatë muajit të kaluar, por sepse tanimë e-Albania është pjesë e pandashme e jetës së gjithsecilit si një lehtësi e madhe në këto ditë të vështira”, tha ajo. Ajo theksoi se “mes këtyre miliona klikimeve, mijëra shërbimeve, dhjetëra-mijëra përdoruesve të rinj, nga ana tjetër është një besim i madh qytetar”.

“S’do ndalemi asnjë çast, deri në fund të dixhitalizimit që nisi si një projekt por sot është realitet”, tha Karçanaj. Në statistikat e e-Albania vihet re se në muajin prill 2020 ka 15 285 204 vizita në portal krahasuar me shkurtin ku ka 4 409 330 vizita.

Po ashtu, në prill ka 141 474 përdorues të rinj të regjistruar, ndërsa në shkurt ka 50 221. Në prill ka 469 995 përdorues në aplikacionin mobile krahasuar me 51 974 në shkurt.

Në prill është 5 228 752 numri total i përdorimeve të shërbimeve elektronike krahasuar me 1 021 820 në shkurt. Po ashtu, në prill u afruan 1802 shërbime, ndërsa në shkurt 1799 shërbime Në total në prill u kryen 14 651 126 transaksione në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit krahasuar me 7 823 034 që u kryen në shkurt.