Nga Gafur Muka/

Ajo që duhet thënë që në fillim është e vërteta, se situata për të zhvilluar mësimin online na gjeti të papërgaditur. Ky pohim vlen edhe për mësimdhënsit edhe për mësimnxënësit. Të dyja këto gjymtyrë të rëndësishme për funksionimin e procesit u detyruan të hedhin hapat e parë në një rrugë të re. Të dyja filluan të inventarizojnë mungesat duke nisur me teknologjinë, me metodikat, me ambientet e, duke vazhduar me potencialin individual dhe me mënyrën e shlyerjes së detyrimeve. Tani kanë kaluar më shumë se 6 javë dhe, mbase akoma nuk është koha për të bërë një analizë të arritjeve por ajo, për të tërhequr disa konluzione, me siguri që është.Më së pari duhet thënë që procesi është zhvilluar, çfarë do të thotë që mungesat e listuara më sipër janë plotësuar dora dorës. Problemi është në çfarë niveli janë plotësuar ato dhe a garanton ky nivel më së paku cilësi të pranueshme?Duke iu referuar teknologjisë del që pala mësimdhënëse e disponon atë në standartet që nuk krijon problem. Për të si cilësia e kopjuterave ashtu edhe ajo e internetit janë në plotësim të kërkesave. Po studentët?

Një përgjigje pohuese për këtë pyetje nuk do të ishte e vërtetë. Ata natyrisht që disponojnë telefona smart, tek të cilët afishohen platformat e mësimit online. Ajo që është problematike qëndron tek cilësia e funksionimit, që gjithsesi nuk është në nivelin e funksionimit në laptop përkatësisht desktop si dhe cilësia e marrjes që varet nga forca e sinjalit dhe kapaciteti i internetit. Nëse këto nuk janë në cilësinë e duhur dëgjimi i mësimeve bëhet i lodhshëm, i bezdisshëm deri në i pamundur.

Sa u takon metodikave. Si pedagogët ashtu edhe studentët e mësuan shpejt mënyrën e vendosjes së komunikimit të ndërsjelltë. Në këtë drejtim tani nuk ka probleme. Nëse flitet për probleme ato qëndrojnë tek mënyra e përcjelljes, pra tek shpjegimi. Shpjegimi lidhet si me formën e disponimit të materialeve ashtu edhe me zërin e figurën. Pedagogët i përshtatën shpejt leksionet në formatet PDF dhe Power Point dhe ua vunë menjëherë në dispozicion studentëve. Po zëri dhe figura? Për përcjelljen e zërit egziston mundësia e rregjistrimit Audio. Ky rregjistrim siguron shpjegimin, mbështetur në formatin Power Point, në mënyrë sa më të plotë e sa më të detajuar. Përcjellja e zërit të pedagogut tek studentët rrit vemendjen e tyre në dëgjim dhe u krijon atyre mundësi të formulojnë pyetje sqaruese. Për këtë duhet që në kohën e dëgjimit të funksionojë edhe lidhja në komunikimin figurë.

Kjo lidhje sigurohet në prani të teknologjisë cilësore dhe, ç’është më e rëndësishmja, sinjaleve cilësore të internetit. Përvoja e këtyre javëve tregon që nuk realizohet ashtu siç duhet lidhja e kërkuar. Në mjaft raste ajo mungon fare. Cilësinë në shpjegim e ul edhe pamundësia e përdorimit të “shkumësit dhe dërrasës”. Tani po e kuptojmë që, sido të vejë zhvillimi teknologjik e programet komunikuese prapëseprapë shkumësi dhe dërrasa e zezë, mbeten vendimtare në shpjegim. Vetëm me dëgjim studentit i bëhet monoton deri në bezdi qëndrimi në pritje. Është njëlloj sikur pedagogu të shpjegojë në pozicionin “gaditu”.

Një tjetër problem i rëndësishmë për cilësinë e të nxënit online është dhe ambienti. Pedagogët e kanë më të lehtë në shtëpitë e tyre të krijojnë ambient mësimi edhe për faktin se angazhimi i tyre zgjat pak orë, ndërkohë që studentët e kanë mësimin me orarin e auditorit. Eshtë kjo arsyeja që atyre u nevoitet ambient i veçantë, gjë që është shumë e vështirë tua sigurojë shtëpia. Në shtëpi ata kanë prindërit, vëllezër e motra, mbase dhe gjyshër e gjyshe dhe është telash i madh për të siguruar kushte auditori. Pa le pastaj kur ka edhe vëllezër e motra që kërkojnë kushte “klase” sepse janë në ciklin parauniversitar. Dhe kjo mungesë rezulton si një problem i qenësishëm për cilësinë e mësimit online. Unë nuk e di sa MARS i njeh këto probleme mbështetur në anketimet e saj, por publiku ka nevojë për informim në këtë drejtim

Për të arritur në disa konkluzione del që për mësimin online duhet të standartizohen teknologjia, metodika, literatura dhe të njihet gjendja e ambienteve, jo vetëm ku emetohen mësimet por, sidomos, atje ku ato priten. Kuptohet që hallkat më të dobta të këtij procesi janë standartizimi i teknologjisë dhe sigurimi i ambienteve për dëgjim dhe reagim nga ana e studentëve. (Nuk po flasim këtu për mungesa të pazëvendësueshme siç janë ato që lidhen me punët laboratorike dhe praktikat mësimore). Tek hallka e parë shteti duhet të interesohet për të ndihmuar duke siguruar kudo ku ndodhen studentët, kompjutera të përshtatshëm dhe sinjale të përshtatshme interneti.

Tek hallka e dytë dhe tek komponentët laboratore dhe praktika duhet të pranojmë që kemi humbje të konsiderueshme të cilësisë së këtij procesi, prandaj plotësimi i kushteve për hapjen e auditoreve dhe klasave duhet të jetë prioritet i veçantë i qeverisë. Ajo, pra Qeveria, duhet ta ketë të qartë që humbjet në cilësinë e arsimit janë humbje edhe në shëndetsi edhe në ekonomi. Mendësia se “arsimit ia kemi gjetur ilaçin” dhe se “ai nuk është urgjencë” ka efektin e ngopjes me erën e qofteve.