Aleksandër Kuro është një tjetër lojtar i Teutës që ndodhet jashtë kufijve. Që prej muajit mars ai gjendet në Gjermani, atje ku jeton me familjen e tij. Fakti që është në shtëpinë e tij, ia bën sigurisht më të thjeshtë këtë kohë karantine, ndonëse vështirësitë pa stërvitje në grup dhe futboll janë të mëdha.

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, mbrojtësi me origjinë nga Gjirokastra, që karrierën më së shumti e ka në Greqi, na tregon si i ka kaluar këto dy muaj larg Durrësit dhe Shqipërisë. Për të vrarë mërzinë, biçikletën e ka pjesë të pandarë të tijën, por edhe librat e videolojërat.

Aleksandër, si po i kaloni këto ditë?

Momentalisht jam në Gjermani, te njerëzit e mi, ku po kaloj disa momente të bukura pranë tyre dhe familjes, pasi kjo mundësi nuk na vjen çdo herë. Ditën e kaloj duke lexuar shumë ose ndonjë lojë në celular.

Në një lloj forme po e shijoni këtë pushim të kushtëzuar?

Vetë profesioni që kemi, na bën të qëndrojmë shumë kohë larg familjes dhe në grumbullime me ekipin.

Është e vështirë për një futbollist që të qëndrojë i mbyllur në shtëpi?

Ndonëse për një futbollist është e vështirë të qëndrojë në shtëpi, pasi liria është diçka shumë e rëndësishme për të, është koha që kjo sfidë e vështirë të përballohet. Unë bëj thirrje të qëndroni në shtëpi dhe të respektojmë distancimin social.

Keni zhvilluar stërvitje individuale në Gjermani?

Kam respektuar orarin e lejuar, pasi edhe këtu situata nuk është e qetë. Jam duke u stërvitur sipas plan-programit që na ka dhënë stafi. Natyrisht bëj edhe ndonjë xhiro me biçikletë, sepse është mënyra më e mirë për të hequr pak monotoninë e këtyre ditëve.

A keni një mesazh për këtë situatë?

Unë dua të them që të jemi të bindur ndaj këshillave të specialistëve. Masat nuk ka arsye t’i përmend, sepse duke i përmendur, kalojnë në sensin tjetër. Në këtë situatë duhet shumë kujdes.