Nga Gëzim Sinemati/

Kur flitet për para, për shu ma të majme që mbërrijnë nga UEFA, futbolli zyrtar bëhet kaq driblues, kaq i pakapshëm në ndershmëri, sa edhe vetë dekani i driblimit Leo Mesi… do të turpërohej para tyre. Dhe një nga fintet më spektakolare gjatë kohës së pandemisë ka të bëjë jo me luftën kundër virusit, por me lojën e madhe dhe hileqare që bëhet në emër të milionave.

Me siguri e mbani mend ditën kur futbolli në emër të klubeve të Superiores, madje edhe të klubeve “lilipute” në kategoritë inferiore, bile edhe të fëmijëve, i kërkoi shtetit ndihmë financiare për të kapërcyer krizën fatale të momentit. Ato ditë, të gjitha klubet u zemëruan, madje shumë “vullnetarë” u rebeluan kundër shtetit, që u tregua antisportiv, sidomos kur dëgjuan zotin Rama që ta krahasonte futbollin me fasonët, si një biznes që driblon me pagat, për të bërë “gol” te porta e taksave.

Dhe më e bukura është se, edhe kur zbresin si kundërshtarë në fushë, shteti i politikës dhe “shteti i futbollit”, jo të kapur prej dore si tërë këto vite, prapëseprapë, na duket si një ndeshje e trukuar. Si në një ndeshje ku mallkohet fituesi prepotent dhe lëvdohet humbësi, që tregoi vetëm përulësi. Dhe në këtë rast, të gjithë ishin me futbollin, pra me FSHFnë, logjikisht me shefin e saj, që edhe pse na gënjen për gjënë më të vogël, prapë nuk krahasohet me politikën.

Dhe kur nuk do politika, si për fat, futbolli ka zotin e tij, i cili shfaqet mu në mes të krizës. Dhe kjo perëndi është UEFA që do të japë 4.3 milionë euro për futbollin tonë, një shifër e majme, tejet mikluese, nga ato që nuk të lënë të vdesësh për “bukën e gojës”. Por, sapo filloi festa nëpër klube, filluan dollitë për bamirësinë e UEFAs, është “shteti i FSHF-së” që i thotë popullit të vet se këto para nuk janë për të mbajtur shpirtin gjallë klubet, por janë për investime!

Me një fjalë: janë “ushqim” jo për barkun e familjes, por për stadiumin e Kukësit 3.2 milionë euro, ndërsa me kusurin do të vazhdojë cikli i betonit te zyrat si “stadium” të FSHF-së. Rrofshin stadiumet! Ky është futbolli që luajmë me milionat, një lojë që si pandemi ka babëzinë, meqë popullit i thuhet se shteti është i pabesë kur i kthen shpinën futbollit, ndërsa kur vetë shteti i futbollit avullon 4.3 milionë euro, mu para syve, më të shumtëve u duket si një magji dhe jo si një zhvatje e paskrupullt…