Me një goditje dyshe, Felipe Melo i ishte përgjigjur Chiellini, pas fjalëve të ashpra të kapitenit bardhezi për të. Së pari fjalitë në librin autobiografik “Io, Gorgio”, pastaj sjellja në kujtesë e Galatasaray-Juve, ndeshja e Ligës së Kampionëve, që iu kushtoi eliminimin torinezëve. Tani, edhe një herë, mesfushori kontravers brazilian vihet në qendër të vëmendjes. “Ka lojtarë që bëjnë ndryshimin. Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar… Pastaj vij unë, Felipe Melo. Sidomos lojën me shkelma e bëj shumë mirë, – fillon të tregojë në një intervistë me “Olé”.
– Por, nuk jam vetëm shkelma, apo jo? Unë, arrita të ndihmoj Robinho, një nga më të mirët në Kupën e Botës 2010, kundër Hollandës. Njerëzit që mendojnë se Felipe Melo spikat vetëm për shkelma, e kanë gabim. Unë nuk jam vetëm për këtë. Me siguri, nuk më kanë marrë te Juventusi, Interi, Fiorentina dhe Galatasaray për shkelmat në fushë. Fitova 15 trofe, kam edhe disa cilësi si futbollist. Nëse Juve më thërret të luaj me Cristiano Ronaldon, unë jam gati. Barcelona e donte De Ligt, por Cristiano Ronaldo e thirri te Juve dhe tani është atje, vetëm 20 vjeç…”