Që Barcelona e ka vendosur Lautaro Martinez në krye të listës së merkatos, sigurisht nuk përbën më lajm. Skuadra katalanase po përpiqet në çdo mënyrë ta rrëmbejë argjentinasin nga Interi, por për momentin duket shumë e ngurtë në pozicionin e saj.
Për këtë operacion, Barça po përdor “peshën e rëndë”: Lionel Messi. Jo në kuptimin që “Pleshti” do të përdoret si homolog shkëmbimi me Lautaro, por ai ka dalë hapur që të afrohet bashkatdhetari zikaltër. Për “Mundo Deportivo”, gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” tha:
“Për të qenë i sinqertë, nuk e di vërtet nëse ka negociata apo jo në këto momente me të, nuk e kam idenë. Unë përforcoj ato që kam i thënë tashmë, se Lautaro Martinez është një sulmues mbresëlënës. Veçanërisht është një lojtar shumë i plotë dhe i fortë, driblon mirë, di të shënojë, di të mbrojë topin… Në çdo drejtim është i mirë, por duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Fjalë admirimi i pastër sportiv. Nga ana tjetër, të dy kanë luajtur tashmë së bashku me Argjentinën dhe kanë treguar se koordinohen më së miri. Lautaro-Barcelona, jemi të sigurt që do të jetë një “telenovelë”, e cila do të zgjasë për një kohë të gjatë, me siguri për pjesën më të madhe të merkatos së verës…