“Nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit”, deklaroi sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili zhvilloi një takim me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.
“Kënaqësi të takohesha sot në Ditën e Europës me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, zotin Luigi Soreca. 70-vjet pas Deklaratës së Shumanit Bashkimi Europian mbetet projekti më frymëzues. Fuqia e tij buron nga vlerat themelore të lirisë, demokracisë dhe solidaritetit”, tha Meta pas takimit.
“Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit”, theksoi Meta.
“Nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke u përqendruar tek ndërtimi i një demokracie funksionale dhe sundimi i ligjit, sikundër theksoi dhe deklarata e Zagrebit”, u shpreh Kreu i Shtetit.
“Jam plotësisht i përkushtuar për të marë përgjegjësitë e mia në këtë proces si President i Republikës, dhe u bëj thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve. Për Shqipërinë Europiane! Së bashku më të fortë”, tha Meta.