Prej orës 17:30 po zhvillohet protesta e dytë e grupit të artistëve dhe opozitës kundër qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar që ka nisur me firmosjen e një peticioni ku kërkohet rindërtimi i teatrit aty ku ishte, siç ishte.
Gjatë protestës kanë folur disa përfaqësues politikë dhe të komunitetit të aktorëve.
Ish-ministrja e Lulzim Bashës, Mirela Karabina, në fjalën e saj para protestuesve për Teatrin Kombëtar ka lexuar emrat e disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak Tiranë, ku i cilëson ata si njerëz që përfitojnë nga pushteti duke kërkuar edhe poshtërimin e tyre publikisht.
Faji i tyre sipas ish-ministres teknike, është fakti se kanë votuar për shembjen e Teatrit.
Nuk ka munguar as linçimi për disa emra duke bërë edhe komente, se janë pasardhës të ish-funksionarëve komunistë, ndërsa disa të tjerëve iu kanë shtuar edhe detyra dhe funksione të cilët ata nuk i kanë.
Karabina i është referuar shkrimit të një portali anonim i cili financohet nga bota e krimit ku vendostë në poste të paqena disa nga anëtarët e Këshillit.
Media kontaktoi me disa prej prej këshilltarëve të cilët iu përmend emri në protestë, të cilët mohuan kategorikisht se ishin në ato pozicione që u thanë aty dhe theksuan se këtë çështje do e ndjekin edhe në rrugë ligjore.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë dhe këshilltar në KB të Bashkisë Tiranë Aldrin Dalipi sqaroi se “nuk është e vërtetë që jam anëtar në borde pronash dhe e neveris politikën e shpifjes dhe montimit, dhe këdo që e ka artikuluar këtë rruga më e drejtë është të jap shpjegime në gjykatë si të barabartë përpara ligjit por jo të barabartë përpara shpifjes!”
Edhe anëtarja tjetër e Këshillit Bashkiak të Tiranës Joleza Koka u shpreh se: “Kushdo, që ka marrë mundimin të ulet e ta shkruaj këtë artikull e ka patur shumë të lehtë të kontaktoj institucionet, të shikoj listat e të punësuarve e të bëj verifikimet e nevojshme përpara publikimit të tij, por qartazi këto portale nuk e kanë marrë fare mundimin të bëjnë asnjë gjysmë telefonate, që do të ishte minimum i detyrueshëm i profesionalizmit të tyre.
Unë do ti hedh në gjyq si akt qytetar jo vetëm për ti ndihmuar këta gazetarë të rriten profesionalisht sepse mesa duket nuk është i mjaftueshëm edukimi që marrin nëpër shkolla, nëse kanë vajtur ndonjë ditë, por edhe për të bërë diferencën mes gazetarëve, që bëjnë përditë punën e tyre me profesionalizëm”.