Nga Isa Myzyraj
Të enjten e parlamentit, u bë lajm në shumë portale, e shumë faqe facebooku, e shumë persona u morën me deputeten Mirela Kumbaro. Kumbaros iu zbërthye një kopse e bluzës, dhe ajo pavarësisht kësaj vijoi fjalimin e saj, duke e mbuluar bluzën me një triko që kishte sipër. Është fakt tanimë që ne jemi bërë një shoqëri e cila në shumicën e rasteve, shpërthejmë në entuziazëm të pashoq, kur një gruaje i ndodh diçka, e pakëndshme.
Por, edhe për kolegët gazetarë, edhe për ata që kanë faqe në facebook, dhe po i shpenzojnë këto orë izolimi në rrjetet sociale, duhet tu them, se rënia e një kopse as që përbën as interes aq më pak lajm. Mirela Kumbaro, gjatë këtyre kohëve në karantinë, ka qenë ndër të paktat gra me ndikim që ka bërë shumë gjëra edukative, dhe e thënë më shqip, me të kënaq kur i hap rrjetet e saj sociale.
Ajo ka lexuar vazhdimisht libra, dhe pak herë është bërë lajm, ajo ka folur për artin, për të bukurën, për kulturën, për Shqipërinë, për muzikën, dhe duket qartë që në këtë kohë të vështirë ajo ka refuzuar të bëhet pjesë e debateve politike, që nuk e çojnë as vendin as shoqërinë tonë asgjëkund. Ajo nuk u bë lajm për 2 muaj me radhë, që ushqeu fëmijët të cilët po kalojnë kohë të vështirë, me pjesë nga “Historia pa mbarim” e shkrimtarit të njohur, Michael Ende, apo edhe pjesë të përrallës së dashur, Çufoja dhe Bubi Kaçurrel, të shkrimtarit shqiptar Gaqo Bushaka, e ka vijuar me Libri i Gabimeve të Xhani Rodarit, e deri tek aventurat e mrekullueshme të Mark Twain.
Epo duhet të ketë një mjaft për të gjithë ne, dhe bëjmë mirë t’i themi sa më shpejt “mjaft” vetes sonë në fillim./ Dritare.net