Disa foto, ku shiheshin masa të ulëta sigurie në laboratorin e Wuhanit, janë fshirë nga faqja e internetit të institutit. Muajin e fundit, Instituti i Virologjisë së Wuhanit ka hequr fotografitë e shkencëtarëve gjatë punës në laborator, ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump tha se është i bindur se kriza e koronavirusit e ka pasur origjinën pikërisht nga ky institut.Disa nga fotot e fshira përfshijnë pamje të stafit të institutit që futet në shpella me masa minimale mbrojtëse për të marrë tamponë nga lakuriqët e natës, që janë bartës të koronaviruseve.
Gjithashtu, është fshirë një referencë nga një vizitë në institut në marsin e vitit 2018 të Rick Switzer, një ekspert nga Ambasada Amerikane në Pekin. Pas vizitës së tij, ai i dërgoi një shënim Departamentit Amerikan të Shtetit ku paralajmëronte mbi rreziqet e eksperimenteve me lakuriqët e natës.
“Gjatë vëzhgimit të shkencëtarëve të Institutit të Virologjisë së Wuhanit, vumë re se ka shumë pak teknikë të trajnuar dhe hetues. Këta janë të nevojshëm për të operuar në mënyrë të sigurtë në këtë laborator”, lexohet në shënim.Faqja zyrtare e institutit e pranon rrezikun e punës që bëhet aty, kur shkruan: “Duke qenë se qëllimi i punës kërkimore të laboratorit është studimi i mikroorganizmave patogjenë, kur hapet tubi me viruse në laborator, është si të hapësh Kutinë e Pandorës”.