Nga Alfred Peza
Prishja ose jo e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, ka gjeneruar një debat publik, duke e ndarë opinionin e qytetarëve si me thikë; në ato që janë pro, dhe ata kundër saj. Në ato që ishin për ruajtjen e godinës ekzistuese dhe të tjerë, që ishin për prishjen e saj.
Brenda këtyre dy grupeve të mëdha, ka që pretendojnë se godina e vjetër duhej restauruar dhe të tjerë, se duhet një godinë të re. Ka që duan realizimin e projektit të ri në gjurmën ekzistuese dhe të tjerë, që janë për ndërtimin e tij, diku gjetkë në kryeqytet.
Argumenti kryesor që kanë patur ata që kanë kundërshtuar e vijojnë të kundërshtojnë prishjen e godinës, është se kemi të bëjmë me një objekt “Monument Kulture”. Dhe si i tillë, prishja e tij do të ishte një krim i madh kulturor, mbi trashëgiminë e kulturës shqiptare në përgjithësi dhe kryeytetit në veçanti.
Shumëkush është në të drejtën e tij, që të jetë kundër apo pro këtij akti. Përfshirë këtu, jo vetëm qytetarët e thjeshtë por edhe ata që po e përdorin të gjithën këtë, si sebepin e tyre të radhës për betejën politike të radhës. E drejta e protestës është një e drejtë e pakontestueshme në demokraci.
Shumëkush është sqaruar, por mund të ketë ende që duhen sqaruar, se godina e Teatrit Kombëtar nuk është një “Monument Kulture”. Ndaj përdorimi i këtij argumenti është thjeshtë një mit i rremë. Ky mit bazohet tek një bindje ose besim kolektiv, se meqenëse kemi të bëjmë me një godinë të vjetër e që i ka shërbyer një institucioni kulturor me rëndësi kombëtare, mund të ishte i tillë. Faktet dhe dokumentet zyrtare, e hedhin poshtë këtë ide të gabuar.
Godina është ndërtuar më 1938, nga kompania italiane “Pater Costruzioni Edili Speciali of Milano”. Për arësye ekonomike e për tu realizuar në një kohë të shpejtë për funksione të përkohëshme, sipas ekspertëve të fushës, u përdor një material konstruktiv i lehtë i quajtur pupulit. Ai përftohej nga përzieria e çimentos me tallashin, algat dhe shkrepëse skarco, të prodhuar në atë kohë nga “SAFFA”.
Gjatë pushtimi Italian të Shqipërisë në Luftën II Botërore, plotësoi funksione të tjera të përkohëshme, për të cilat edhe u ndërtua. Më pas, me kalimin e kohës i ndryshoi funksionet, derisa u shndërrua në godinën e Teatrit Kombëtar. Në vitin 1954, sot e 66 vjet më parë, ministria e Industrisë dhe e Ndërtimit ka nisur korrespondencën me Drejtorinë e Teatrit Popullor, ku jepet ideja për të transferuar atë në godinë e Kuvendit Popullor, sepse nuk përmbushte kushtet.
Katër vjet më pas në 1958, ka një korrespondencë mes ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shkruhet se “siç jeni vënë në dijeni edhe herë të tjera, godina e Teatrit Popullor paraqitet krejt e pasiguruar nga rreziku i zjarrit”. E pasi përshkruhet gjendja alarmante për jetën e aktorëve dhe spektatorëve që “rrezikohet seriozisht nga zjarri”, kërkohet të meren masa urgjente.
Sipas përcaktimeve ligjore “Monument Kulture” është objekti ose ndërtimi me vlera historiko-kulturore, që mbrohet nga shteti. Në kuptim të këtij ligji, në bazë të intensitetit të ndërhyrjes në pasuritë kulturore, këto të fundit kategorizohen në: a) “Monument kulture i kategorisë I”, që është ndërtimi me vlera të spikatura dhe me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe b) “Monument kulture i kategorisë II” është ndërtimi me vlera të spikatura kryesisht për pamjen e tij të jashtme.
Godina e Teatrit Kombëtar nuk figuron në asnjërën prej vlerësimeve që i është bërë objekteve të trashëgimisë sonë të kulturës, për tu futur në listën e mbrojtur, ndër vite. Ajo nuk u shpall e tillë, as në vlerësimin e fundit që është bërë në vitin 2007 kur në pushtet ishte qeveria e Kryeministrit Sali Berisha.
Në këto kushte, çdokusht ka të drejtë që të vijojë të protestojë për godinën e prishur, për të gjitha arësyet që u duken të arësyeshme. Por, jo për faktin se godina e Teatrit Kombëtar ishte “Monument Kulture”. Sepse ky thjeshtë është një mit i rremë!