Ministria e Shëndetësisë raporton sot për 21 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri. Të gjitha këto raste janë në Tiranë, asnjë rast në zonat e tjera të vendit.
Shkon kështu në 1050 numri i të prekurve, prej tyre 205 janë raste aktive. Tirana mbetet vatra kryesore e infeksionit.
Deklarata e plotë nga Dr. Flutura Beqo
Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.
Në 24 orët e fundit vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur me Sars-Cov2 në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera rezultojnë pa raste të reja.
Janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.
Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit.
Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë jane transferuar në spitalin infektiv.
Nderkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend.
Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.
Ne 24 orët e fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.