Nga Mustafa Nano
Monologun në këtë studio të re do t’ja dedikoj Lulzim Bashës, dua t’i jap disa këshilla. Por para se t’i jap këshilla dua të them një gjë që nuk është sekret tani më.
Unë për Lulzim Bashën nuk kam ndonjë respekt si politikan. Nuk kam votuar ndonjëherë për Lulzim Bashën dhe nuk besoj se do të votoj ndonjëherë sepse kam frikë se ai nuk do të ma japë shansin asnjëherë.
Dhe nuk është vështirë të më bësh mua që unë të votoj për ty. Në rrethana konkrete, unë kam pasur një telefonatë me Lulzim Bashën para disa vitesh dhe i kam parashtruar një kusht minimal që ka qenë sigurisht jo i mjaftueshëm por i nevojshëm për të startuar një afrim timin me PD-në e Lulzim Bashës. Kushti ka qenë të lutem distancohu nga Berisha, “Berishizmi”, nga fryma në tërësi e “Berishizmit” që ka dominuar PD-në në këto kohë.
Dhe këtë mos e bëj për mua por për të mirën e PD. Dhe unë do jem i gatshëm të bashkëpunoj me ju në rrethanat që në Tiranë mund të verifikohet ngritja e një regjimi që ka në krye Edi Ramën. Mirëpo, ai këtë kusht minimal nuk ma plotësoi asnjëherë.
Në fakt unë e mora vesh qysh gjatë bisedës telefonike që ai nuk kishte ndërmend të ma plotësonte, sepse nuk e ka në planet e veta. Sepse nuk do ta bëjë, sepse ai mendon se po ta bëjë këtë gjë, kjo është e keqja e PD. Kuptohet që kjo është arsyeja që unë nuk besoj se do të vijë ndonjë ditë që do të votoj për Lulzim Bashën.
Por sidoqoftë unë dua t’i jap disa këshilla. Dhe këshillat pavarësisht kësaj që thashë i kam në bonafite, i dua të mirën Lulzim Bashës. Dhe nuk po bëj shaka. Sido që nuk jemi takuar, jam përpjekur duke dhënë opinionet e mia, t’i jap këshilla.
Një këshillë ka qenë kur i kam thënë, që: “Të lutem zoti Lulzim Basha mos e merr vendimin për djegien e mandateve, është një vendim që nuk ka kuptim, nuk ndodh në botën demokratike”. Por ai dëgjoi këshillat e disa njerëzve që mban afër që për mua janë teveqel, një pjesë e tyre janë kolegë të mi dhe ai bëri djegien e mandateve.
Pastaj erdhi hera e vendimit tjetër që ishte gjithashtu i rëndësishëm. Dhe unë i kam thënë mos e merr vendimin e bojkotimit të zgjedhjeve lokale, është i paprecedentë, ashtu si i pari. Edhe në fakt kjo ndodhi, ai e mori këtë vendim sepse dëgjoi ata që e rrethojnë dhe sot jemi në situatën që i gjithë pushteti lokal dhe ai legjislativ janë në duart e Edi Ramës.
Tani këshillat që unë dua t’i jap janë shumë të thjeshta. Këshilla e parë është: Zoti Basha pushteti nuk merret në tavolinë, nuk ka sesi të merret në tavolinë. Pushteti merret me zgjedhje. Ramën ti do mundësh me zgjedhje. Nëse nuk e mund dot atëherë faji nuk është i zgjedhjeve, por është i juaji.
E vetmja gjë që ju mbetet ju zoti Basha është shumë e thjeshtë. Ju duhet të përgatiteni për zgjedhje. Sipas meje nga ky moment deri në fillimin e fushatës elektorale në kokën tuaj duhet të jenë vetëm zgjedhjet. Dhe me këtë dua të them duhet të mobilizoni të gjitha resurset tuaja.
Këshilla e dytë është: Hiqni dorë nga beteja morale. Kjo beteja që keni me Edi Ramën, apo PD me PS nuk është një betejë morale, mes të mirës dhe të keqes. Nuk është një betejë mes ndershmërisë dhe pandershmërisë, kjo është një betejë midis njerëzve që janë njësoj.
Këtë duhet ta fusim mirë në kokë dhe të gjithë demokratët se shoh shumë njerëz që përpiqen ti japin lexime të ndryshme, ajo është një betejë vetëm politike. Dhe Basha duhet ta cilësojë si të tillë. Për ta bërë betejën politike duhen bërë gjëra që dyhen bërë. Duhen bërë programe qeverisje.
Këshilla e tretë e cila gjithashtu më duket shumë e thjeshtë, duhet të hiqni dorë nga gjuha e vrazhdë e komunikimit në publik edhe me kundërshtarin tuaj. Duhet të hiqni dorë edhe nga gjuha që shpeshherë të ngjeth mishin.
Duhet të hiqni dorë nga gjuha e kanosjeve kërcënimeve. Duhet të hiqni dorë nga gjuha e dhunës, nga shprehjet “vetëm mbi trupat tanë do kaloni”, nga gjak, varr, vdekje. Është një gjuhë e papranueshme, jemi në demokraci, jo në luftë.
Këto janë tre këshillat e mia, këto më duken të rëndësishme.