Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo.Mësohet se prej disa ditësh Velo ishte i shtruar në QSUT, pasi vuante nga anemia e theksuar.Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi kaloi edhe fëmijërinë.
Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaroi gjimnazin, ai vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.Punoi më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës.
Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj.Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.