Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, mezi po pret të kthehet në fushën e futbollit. Këtë e ka theksuar teksa ka insistuar se futbolli mbetet një sport i mrekullueshëm, edhe pa tifozë.

Bundesliga u bë liga e parë evropiane e madhe që e rinisi sezonin, pas suspendimit të detyruar shkaku i përhapjes së virusit Covid-19. Ndeshjet e para u zhvilluan sot, por të gjitha ishin pa tifozë në stadiume.

Premierliga është në mesin e ligave që po tenton ta ndjekë hapin e Bundesligës gjermane, duke synuar ta rinisë sezonin së shpejti, përkundër që autoritetet e futbollit kanë hasur në disa pengesa në rrugën drejt këtij synimi.

Disa klube të Premierligës e kanë kundërshtuar planin për zhvillimin e ndeshjeve në stadiume neutrale, përderisa shumë futbollistë e kanë pranuar se janë të shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e tyre nëse kthehet futbolli.Megjithatë, Klopp – skuadrës të së cilit i duhen vetëm edhe dy fitore për ta fituar titullin e Premierligës – e ka pranuar se lojtarët mund të mos jenë në formën e tyre më të mirë, por ka insistuar se futbolli do të jetë po aq i mrekullueshëm, edhe pa tifozë.

“Shikoni, futbolli është një sport ku pothuajse gjithmonë jemi në situatën e njëjtë. Ne luajmë kundër një skuadre tjetër”, ka thënë Klopp.

“Ne nuk do të duhet të jemi në formën tonë më të mirë të të gjitha kohëve, por duhet ta japim më të mirën nga vetja dhe kjo situatë është plotësisht e njëjtë edhe për skuadrat e tjera”.

“Kurdo që të rinisim, ne do ta kemi kohën e njëjtë për t’u përgatitur dhe për ta bërë punën tonë. Ne të gjithë kemi nisur karrierën tonë duke luajtur pa pasur tifozë dhe e kemi dashur këtë sport jo për shkak të atmosferës në një stadium”.

“Ndërkohë jemi mësuar në këtë atmosferë dhe e dimë se kështu është futbolli i vërtetë, por nëse duhet të luajmë kështu për pak muaj, kjo s’do të thotë që futbolli nuk është ende një sport i mrekullueshëm”.