Nga sot masat për parandalim të përhapjes së pandemisë do të ndryshojnë, ndërsa kjo pasi numri i rasteve të reja me coronavirus në vend ka shënuar rënie dhe janë regjistruar numër më i madh i të shëruarve. Masat e reja janë në tri faza, e parë nga 4 deri më 18 maj, e dyta nga 18 maji deri më 1 qershor, ndërsa faza e tretë nis nga 2 qershori deri në vendimin tjetër, raporton Telegrafi.
Faza e parë, 4-18 maj. Gjatë kësaj periudhe do të zgjerohet orari i lëvizjes së qytetarëve nga 1 orë e 30 minuta në 3 orë, në dy orare paradite dhe pasdite. Ndërsa veprimtaritë që do të hapen gradualisht janë ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve-pjesërisht, tregtia me pakicë-pjesërisht, riparimi i artikujve personal dhe orendive, zyrat e konsulencës.
Faza e dytë, 18 maj-1 qershor. Gjatë kësaj faza planifikohen të lirohen masat varësisht nga situata. Veprimtaritë që do të hapen janë tregtia me pakicë-plotësisht, dentistët dhe fizioterapeutët, sallonet e ondulimit dhe flokëtarët, gastronomia, transporti hekurudhor, transporto urban dhe ndërurban, qendra e thirrjeve dhe hapja e muzeve dhe galerive.
Faza e tretë, 2 qershor. Në bazë të situatës epidemiologjike do të hapen taksitë, gastronomia në përgjithësi, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave dhe teatrove, hapja selektive e aktiviteteve sportive etj. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se nuk do të ketë më rotacion të orarit por nga nesër qytetarët do të dalin dy herë nga 90 minuta, para dhe pas dite. Vitia ka theksuar se qytetarët nuk duhet të relaksohen por të vazhdojnë t’i respektojnë masat e qeverisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ndryshe, IKSHPK mbrëmë ka njoftuar për 38 raste të shëruara dhe 10 raste të reja me coronavirus në Kosovë. Aktualisht janë gjithsej 823 raste me 336 të shëruar dhe 22 të vdekur.