Bypass-i i Vlorës, një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit do të jetë gati brenda afateve të parashikuara në kontratë. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se aktualisht ka nisur asfaltimi i kilometrit të parë, ndërsa po punohet edhe në dy kilometrat e fundit me shtresat rrugore dhe veprat e artit. Tashmë, ka përfunduar 22 përqind e punimeve dhe vazhdon puna për gërmimin në shkëmb dhe në dhé të butë, depozitimin e materialeve të dala nga gërmimet, ndërtimin e trasesë, ndërtim strukturash të 5 urave, tombinove, 3 nënkalimeve të betonit”, bën të ditur ARRSH.
Po ashtu ARRSH thotë se kanë nisur edhe punimet për mbrojtjen e skarpatave. Ndërtimi i kësaj vepre do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve kryesisht gjatë sezonit turistik kur edhe fluksi i vizitorëve në qytetin e Vlorës, dhe gjithë bregdetin e jugut, është i lartë. Projekti i bypass-it të Vlorës, me gjatësi prej 29 kilometrash, nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë, për të përfunduar në lindje të qytetit të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë. E gjithë vepra do të jetë plotësisht e aksesueshme në fillim të vitit 2021.