Zef Mazi, kryenegociatori i saposhpallur i Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, është një emër mjaft i njohur për publikun shqiptar, por sidomos për qarqet diplomatike, politike e mediatike. Tre herë ambasador i Shqipërisë në OSBE (dy mandate) dhe Britaninë e Madhe, kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE, asistent i posaçëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Bërthamore – këto janë vetëm disa nga postet diplomatike që Mazi ka mbajtur në karrierën e tij të gjatë në marrëdëhniet me jashtë, e cila fillon në vitin e largët 1989.

Me një karrierë të gjatë personale, e cila fillon qysh me mësimdhënien e anglishtes para rënies së komunizmit dhe me përkthimet e shumta nga gjuhët e huaja në shqip, Mazi është një diplomat që i ka ngjitur shkallët e profesionit një nga një, me punën dhe vullnetin e tij të spikatur. Por edhe me integritetin e njeriut që flet hapur dhe që e thotë atë që mendon. Çka i ka krijuar më shumë se një herë “probleme” gjatë ushtrimit të detyrave që mbante.

Caktimi i Zef Mazit në postin delikat të kryenegociatorit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, është një sinjal i qartë që kryeministri Rama jep, për t’i kushtuar vëmendje të posaçme vetë procesit të vështirë të negociatave. Më Mazin në timonin e bisedimeve, rruga sfiduese e dialogut teknik me Brukselin, gjen partnerin e duhur.

Ja një CV e shkurtër e ambasadorit Zef Mazi:

Ditëlindja 1956

Shtator – deri tani, këshilltar i jashtëm i IAEA

2011-2018, Asistent i posaçëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Bërthamore

2007-2011, Ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandë

2002-2007, Ambasador i Shqipërisë në OSBE

2005, Kandidaturë e Shqipërisë për postin e Sekretarity të Përgjithshëm të OSBE

2000-2002 dhe 1998-2000, ekspert i brendshëm i OSBE

1993-1997, Ambasador i Shqipërisë në OSBE

1997, Drejtor i Departamentit të OKB, MPJ

1992-1993, ministër këshilltar në misionin e OSBE, Vjenë