Nga Rudina Magjistari/
Kaq i rrallë është spontaniteti në këtë vend, natyralja, e vërteta, sa habiten kur e ndeshin. Dhe i duket se ç’gjëme ka ndodhur! Mesa duket ka aq shumë falsitet e injorancë, sa të jesh vetvetja dhe të bësh një televizion natyral, siç ka qenë filozofi e imja gjithë jetën, duket si herezi. Në vend që të kënaqeni e të shijoni një komunikim joskematik, protestoni se sa poshtë ka rënë televizioni. Po turp, s’ju vjen?!
I quajmë gafa, po nga ato të gjithë bëjmë e të gjithë qeshim me njëri-tjetrin, more të uruar. E që më mirë të quheshin perla, sepse ia dalin plotësisht të na e rrëmbejnë një buzëqeshje gjatë ditës. Sigurisht, ndryshe nga tuajat, apo edhe nga ata që bëjnë një program një ditë të vetme në javë dhe kanë kohë ta krasisin siç duan, ato të miat kanë më shumë vizibilitet. Sepse gjërat janë të lidhura: orët televizive në transmetim, intensiteti, publiku, audienca, shtrirja në vite e programit, dhe sidomos po të kthehet në objektivin tuaj, sigurisht që duken shumë.
Në qoftë se s’e keni kuptuar akoma, unë bisedoj me të ftuarin kur e intervistoj, sepse nuk jam dhe s’dua aspak të bëj gazetaren e lajmeve. Dhe të qenurit spontan është tek unë një kriter i rëndësishëm i zhvillimit të programit. Kush ka punuar me mua, e di mirë sa s’më pëlqen t’i parapërgatis situatat në program, por insistoj që gjithçka të ndodhë në mënyrë origjinale direkt në transmetim. Dhe ky është stili im unik i të bërit televizion, këtu e gati 30 vjet.
S’po merrem pastaj me rastet, kur unë vetë i ngacmoj të ftuarit me humor dhe ata “të mprehtët”, që janë mësuar vetëm me standardin e humorit të hungërimave, e quajnë si lajthitjen e radhës.
E di që shumë prej jush, do thonë “po ç’merresh me ta”! S’ia vlen! Po ja, që duhet ta shkruaj pikërisht për ta. Që të lexojnë e të kuptojnë, se televizioni në fund fare është argëtim, përveçse informim dhe edukim. Dhe jam krenare që programi im i përmban denjësisht të gjitha këto. Shumë prej jush kanë mësuar pafund nga ky program, ku është prekur çdo lloj teme e dhënë këshilla e mësime në të gjitha format me shumë përkushtim dhe kjo mua më përmbush.
Pavarësisht, se është dëshpërues fakti se jeni bukëshkalë e të paedukuar. Ju dashakeqë, që kujtoni se po bëheni interesantë, uroj t’ju hyjë ndonjë gjë në kokë nga këto, se po s’hyri në kokë do hyjë në këmbë… Jeni thjesht ca paçavure për të vrarë kohën.