Në kohën kur po lehtësohen gjithnjë e më shumë masat për lëvizjen, diskutohet mundësia e hapjes së kufijve dhe nisjes së fluturimeve, njësitë akomoduese në të gjithë vendin kanë nisur të marrin masat për të plotësuar kushtet e higjienës në përputhje me protokollet shëndetësore.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi publikoi sot pamje se si këto njësi akomoduese po përgatiten, si dhe po trajnojnë stafin e tyre me protokollet shëndetësore.
Ministri Klosi prej disa ditësh po zhvillon bisedime jo vetëm me operatorët turistik shqiptarë por dhe me homologët në rajon e më gjerë për të diskutuar mbi mundësitë për rivitalizimin e kësaj industrie, duke respektuar njëkohësisht edhe këshillat që jepen nga institucionet e shërbimit shëndetësor në situatën e krijuar prej COVID-19.
Gjatë kësaj jave ai zhvilloi një takim me përfaqësues të Unionit Turistik, ku u diskutua mbi modalitetet e veprimtarisë turistike të plazheve, të guidave, turizmin e brendshëm, për mundësitë e hapjes së kufijve tokësorë, linjave të dedikuara, transportin turistik në respektim të protokolleve shëndetësore.
Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe është konsideruar nga qeveria si një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare. Shqipëria po rekomandohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik nga operatorë turistikë të ndryshëm dhe udhëzuesit ndërkombëtarë të udhëtimit.