Vjosa Osmani jo rrallë herë ka treguar se nuk pajtohet me presidentin Hashim Thaçin. Për këtë ajo po thotë se mund të bashkëpunojë kurdoherë me presidentin, por që sipas saj politikisht dihet botërisht sa shumë nuk pajtohet me të.
Por të njëjtin mendim nuk e ndan edhe për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për të cilin thotë se për qëndrimet e përbashkëta që kanë, e dinë edhe ‘zogjtë’.
“Në nivel institucional natyrisht që unë nuk kam asnjë arsyeje që unë mos t’iu përgjigjem institucioneve të vendit. Në nivel të bashkëpunimit politik është botërisht e ditur që unë kam mospajtime të thella me mënyrën se si e bën politikën dhe si e përfaqëson vendin Thaçi. Kurse kam shumë më pak mospajtime e shumë më shumë qëndrime të përbashkëta me kryeministrin aktual. Besoj që këtë edhe zogjtë e dinë”, tha Osmani.Kryeparlamentarja Osmani pas mbledhjes së kryesisë, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional, pavarësisht opinioneve personale, është shumë i rëndësishëm ndërmjet tri institucioneve më të larta në vend.
“Ne kemi një praktikë javore që të takohemi me kryeministrin e vendit çdo javë, praktikë që e kemi ndërtuar nga dita e parë kur edhe Kurti është zgjedhur kryeministër, por kur edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, sepse është e domosdoshme që punët e qeverisë të bashkërendohen. Natyrisht që unë do të vazhdoj të takohem rregullisht me kryeministrin e vendit, sepse është e domosdoshme për vendin tonë që të ketë një bashkëpunim të tillë. Dhe kemi një bashkëpunim të mirë, dhe besoj që do të vazhdojë të mbetet tash e tutje. Sa i përket presidentit të vendit, nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga ana e tij që të takohemi dhe të bashkërendojmë vendimet. Madje as për çështje të rëndësisë nacionale. Bile, ju e dini që kur presidenti i vendit ka ftuar për konsultime lidhur me tema që janë të rëndësisë nacionale, i ka ftuar krerët e partive, por jo krerët e institucioneve. Pra, gjithnjë më ka anashkaluar mua si kryetare e kuvendit”, ka theksuar Osmani.
Kryeparlamentarja Osmani thotë se presidenti Thaçi vetëm njëherë ka kërkuar t’i drejtohet Parlamentit, e sipas saj, këtë e ka bërë në mënyrë arbitrare, më pas nuk ‘i ka interesuar të shkojë e të flasë në Kuvend’. Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Osmani tha se bashkëndjen me ata që kanë kundërshtuar shembjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë gjatë ditës së djeshme.