Nga Pëllumb Kulla/

Sot, në një të djelë të këtij vendi, u konsumua një ngjarje e madhe. Ajo prodhoi tërë larminë e ndjesive njerëzore, që nga trishtimi deri te skaji tjetër, triumfi.Ia autorizoj vetes të drejtën të nis e të shkruaj duke kërkuar falje nëse lëndoj ndjenjat e shumë miqve dhe ca njerëzve që nuk janë të detyruar, jo të më kuptojnë, por as edhe të nisin t’i lexojnë këto radhë.

Sot u rrafshua ajo ndërtesë e magjishme, tek e cila, dikur, mezi prisja të mbushja moshën që të lejohesha hyja në të. Se fëmijëve nën 16 vjetë, asokohe nuk u lejohej hyrja. E unë mezi prisja të shihja “Otellon”, “Prefektin”, “Shërbëtorin e dy Zotnive”, “Halilin dhe Hajrien”.U rrafshua ai tempull i lojës më të vjetër të njerëzimit, teatrit të gjallë, që shkakton lotin e kthjelltë dhe të qeshurën më të zhurmëshme. U zhbë vendi ku hodha hapat e para, ku fitova diplomën e studimeve të larta, të atij sheshi ku konkurova dhe u nderova si aktor dhe regjisor.

Sot kam një dhimbje më të përligjur se shumë të tjerë, por kam qenë deklaruar që ajo ndërtesë, ajo shtëpi e dashur t’i lerë vendin një ngrehine të re dhe madhështore. E deklarimi im i regjistruar nga mediat më vinte për ballë ca miqve që çmoja dhe i çmoj ende së tepërmi.Kjo përballje ishte më e sikletshmja. Kjo ngriti një mal vreri, një sakrificë njerëzore të zgjatur, më së shumti e mirëkuptuar, në mbrojtje të ndërtesës.

Aty, në atë vatër u prodhua magji, art, rritje dhe shkëlqim talentesh. Aty unë njoha personalitete të pashoq ndoshta dhe në krahasime botërore. Njoha madhështinë e Kadriut, bukurinë skenike të Margaritës, gojtarinë e Prokopit dhe Pitarkës, premtimet e B. Nelkut, mblodha admirimin që shkaktonin me rolet e arritura të shokve të mij të kursit, Ndrenikës, Zhustit, Neta Papapavlit… Aty kumbuan e shkaktuan gaz e psherëtima fraza të shkruara në pagjumësitë e mia, të interpretuara nga Fatos Sela, Luftar Paja, ime shoqe Xhuljeta, Ilir Bezhani, Hajrie Rondo e të tjerë.

Për të tëra këto, edhe unë duhet të ngujohesha aty, e sot të tërhiqesha për krahësh nga policët, në kët’ mëngjes të dhimbshëm të 17 majit 2020.

Por mendoja ndryshe dhe kjo ndryshe, njihet tashmë.Unë nuk u pagova të jem kundër atyre miqve që iu përkushtuan një kauze që nuk ishte e qëlluar. Mua nuk më paguan njeri dhe nuk synoj asnjë karierë administrative apo politike me këta 80 vjetët e mi. Kjo moshë e mbështet sinqeritetin tim. Nuk më tërheqin dot Rama dhe Veliaj e ca më pak ata të tjerët, politikisht përballë tyre. Më shumë më tërheq talenti i pastër i Neritan Liçajt, që e kam pëlqyer gjithmonë dhe e shoh kandidat në rolet kryesore, të nja-dy projekteve që ende më shkumbëzojnë.

Unë nuk mund të mos dëshiroj një godinë të re në vend të asaj, që u shemb sot, ku në 70 vjet, nuk erdhi bujtëse asnjë trupë e huaj teatrore dhe ku, për shkak të ofertës tekniko-logjistike mjerane, nuk u zhvillua kurrë një festival europian, bile, as edhe ballkanik! Përse të mos kishte kryeqyteti ynë një godinë të artit skenik më të mirë se ajo e Korçës, se ajo e Fierit, e Durrësit, e Shkodrës… e për të mos e zgjatur listimin, që tregon se ajo që u fshi sot, ishte më e papërshtashmja e vendit?! Dhe unë nuk mund të ngre dorën pro për një teatër të madh, të ri, kombëtar me një ndërtesë madhështore në Sauk, apo Laprakë! E përse jo në bash të vendit?! Përse jo, në atë katror qendror, aty ku janë ngritur madhështore katedralet katolike dhe ortodokse, xhamia mbresëlënëse, për të cilat nuk protestoi askush dhe u ndërtuan në një paqë për t’u patur zili! Edhe ne të fesë teatrore e duam një tempull, na duhet një katedrale e atyre përmasave, se feja jonë u bashkohet atyre që përmenda, në promovimin e ndjenjave të bukura, të paqes, mëshirës, të qeshurës, mirëkuptimit dhe mirënjohjes.

Ky mospajtimi ynë do të ishte një votim mes nesh, në fushën e nostalgjisë. Por mjerisht nostalgjia u përvetësua nga mijëra e mijëra të tjerë, ca nostalgjira të një lloji tjetër, që hyjnë në parcelat e politikës.Kulla apo jo kulla, angazhime private, apo shtetërore, kjo është jashtë shqetësimeve që më përkasin mua.

Unë dua një teatër të ri!Fyhem kur emrin tim e rreshtojnë me ata që deshin prishjen e teatrit. Unë kurrë nuk kam qenë me ata. Kam qenë vetëm në listën e nderuar të gjithë artistëve, të ngujuar apo të pangujuar, që duan në mënyrat e tyre një teatër të ri dhe madhështor.

Të gjithë ne deshëm një teatër të ri!Në djall insinuatat, për nxjerrje fitimesh, që në këtë epokë të ndotur bëjnë vaki dhe që djallëzisht, nuk ka dëshirë të mos i hetojë dhe ndëshkojë askush! Me keqardhje, nuk është detyra ime! Unë do të falenderoj për teatrin e ri, siç kam falenderuar për autostradat dhe bukuritë e tjera të pakta por me vlerë, që dyshohen se kanë gjeneruar korrupsion. Unë falenderoj ata që i kanë ideuar dhe ndërtuar dhe i gëzoj!

Shpesh bukuritë janë bija të mundimeve, të dhimbjeve, të konflikteve. Le ta presim bukurinë e radhës që erdhi pas kaq sakrificave të zgjatura.Ngjarja e sotme mund të lerë pa ngushëlluar ca nga kolegët tanë. Me keqardhje kam dëgjuar prej tyre kërcënime, ftesa për përleshje. Është zënë në gojë gjaku, vdekja, përfytja. Është tepëruar, miqtë e mi.

Por përsëri këto janë më të pranueshme në krahasim me kërcënimet e stërlodhura të politikanëve. Fjalët e zemëruara, premtimet e bujëshme për vendosjen e drejtësisë në vend, për ndëshkimet e 21 janarit 2011, kërcënimet për mos kaptimin e vijave të kuqe, ato janë të skredituara tashmë dhe nuk kanë lidhje me zemërimet organike e spontane të artistëve.Ndoqa deklaratën e përbashkët politike të Opozitës. Oh, Zot, çfarë fjalori i lodhur, çfarë zemërimi pa dritë dhe respekt! Si mund të përdoret epiteti kriminal, gjashtë vjet me radhë dhe të mos të vijë turp në vitin e shtatë?! Si mund ta zhdukësh nga fjalori Partinë Socialiste që të ka mposhtur kaq gjatë dhe të fajësosh vetëm kryetarin e saj, si kriminel, si hajdut, mafioz, i pashpirt, antishqiptar e mos të të vijë keq për rraskapitjen e këtyre cilësimeve? Si mund të bësh thirrjen që ta shkulësh këtë kundërshtar “një orë e më parë” dhe kur gjithë këta vite të kanë ofruar qindramijëra orë, për t’i përdorur “një orë e më parë!”

Në mbylljen e ditës me atë deklaratë të Opozitës së Bashkuar që unë do ta fajësoja më shumë se çdo komunitet dhe parti, për këtë odise të dhimbshme, që pati sot këtë fund të trishtë. Sado që do të desha ta mbaroja sa më paqësisht këtë shënim, nuk do të rri dot pa thënë: një fadromë elektorale e vetë të djathtës, duhet ta çlirojë Shqipërinë nga këta burra që pështytën fjalë të lodhura në mikrofonat e zgjatur aty në shkallët e ndërtesë së PD-së. Dhe kjo dëshirë nuk është aspak në favor të Ramës, por në të kundërt të tij. Një grup kundërshtarësh politikë që mallkojnë donatorët e huaj që ofrojnë aq shumë ndihma për shërimet e plagëve të tërmetit, një grup kundërshtarësh që në ditët e virusit mallkojnë gati-gati hapur ata që nuk vdesin, por lenë shtretërit të shëruar, nuk janë thjesht kundërshtarë politikë…

Janë ca më shumë dhe ata nuk premtojnë asnjë përmirësim.Nuk mund të jetë “vijë e kuqe’ një konflikt në një ndërtesë të pafajshme dhe të keqpërdorur si ajo që e pamë dje për herë të fundit!Miqtë e mi të dashur, uroj sinqerisht energji krijuese, paqë të bukur dhe konflikte sa më të ashpër në fushën e skenës!