Pandemia e COVID-19, përveç humbjeve në njerëz, ka shkaktuar edhe dëme të mëdha ekonomike, pasi numri i të papunëve është rritur shumë. Kështu në Austri, shifrat e papunësisë janë rritur. Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi i Punës, i njohur si AMS.

Sipas të dhënave zyrtare, 571,477 njerëz janë aktualisht pa punë, një pjesë e tyre si pasojë e mbylljes së ekonomisë. Kjo do të thotë rritje për 58 për qind, krahasuar me fundin e prillit, 2019, kur kanë qenë 361,202 të papunë. Thuhet se norma e papunësisë në Austri është rritur në 12.8 për qind në fund të muajit prill, nga 8.1 për qind sa ka qenë në shkurt.

“Të gjithë sektorët, të gjitha rajonet dhe të gjitha grupmoshat. Tani ka dhjetë herë më shumë punëkërkues sesa vende të lira të punës”, tha në deklaratën e saj AMS. Industritë e goditura më së keqi janë hotelet dhe restorantet, ku papunësia është rritur për 130 për qind. Kujtojmë se në Austri raportohen 15,538 raste me koronavirus dhe 600 viktima.