Moderatorja Arbana Osmani u ka dhënë fund të gjitha dyshimeve për ndërprerjen e programit të saj “Dua të të bëj të lumtur”, pas lajmit për shtatzëninë që e bëri publik dje në Instagram. Në një kohë të vështirë si kjo e pandemisë që po kalojnë, shumë fansa të programit po pyesnin nëse do të vijojnë xhirimet, tani që Arbana është në pritje të ëmbël, por moderatorja ka sqaruar gjithçka. Arbana ka publikuar një video në Instastory, ku shfaqet në studion e saj në Top Channel, duke pritur stafin për të nisur me përgatitjet.
“Jam shumë e lumtur që do të fillojmë, jam shumë e lumtur që do të jemi bashkë të shtunave. Do të keni programin tuaj të preferuar. Do ta kemi shumë të vështirë për ta realizuar, por do t’ia dalim”. Dje me rastin e ditëlindjes së saj dhe të partnerit Eduart Grishaj, moderatorja zbuloi se është shtatzënë dhe se do të bëhet nënë për herë të dytë. Ajo publikoi një foto të vjetër kujtim me Eduartin, të cilit i uroi ditëlindjen duke i dhënë lajmin e bukur publikisht: “Gëzuar ditëlindjen shpirti im binjak, shoku im më i mirë, ai që ka zemrën time. ( i cili do të bëhet së shpejti baba) Të dua Eduart Grishaj”, shkruante Arbana.
Dyshja ende nuk e ka konfirmuar gjininë e bebushit, ndërsa pritet ta bëjë në ditët në vijim. Arbana është nënë e një djali që e ka më bashkëshortin e saj të parë, ndërsa ky do të jetë fëmija i parë për regjisorin Grishaj.