Nga Alfred Peza
Në Shqipëri dëgjon më shumë për revolucionin, sesa në vendet ku ato kanë ndodhur më së shumti realisht, në të shkuarën historike. Qofshin ato revolucione me natyrë politiko- shoqërore. Apo edhe kulturore, intelektuale, filozofike e deri tek revolucionet shkencore e teknologjike. Hiperinflacioni i përdorimit të fjalës revolucion nga goja e tyre, e ka burimin tek pafuqia e opozitës sonë, për tu imponuar përmes mjeteve, rrugëve, metodave dhe instrumentave politikë që ofron sistemi demokratik.
Thirrjet e tilla “in extremis” janë bërë edhe në të shkuarën, e kanë ardhur duke u shtuar edhe gjatë këtij viti. Ato i kemi dëgjuar rëndom si para, ashtu edhe gjatë ditëve të pandemisë globale. Si kur ishim të mbyllur të gjithë në karantinë, ashtu edhe tani që po dalim në rrugë, pasi po shkohet drejt hapjes gjithnjë e më të plotë të jetës shoqërore dhe bizneseve.
Pas një takimi me një grup artistësh, Kryetari i PD Lulzim Basha ka bërë një kërcënim të pazakontë, nëse prishet godina e Teatri Kombëtar: “Nëse ky pushtet do t’i shikojë deri në fund marrëzisë për ndezjen e zjarrit te Teatri ta presin popullin te çdo institucion i uzurpuar, në Surrel dhe në qendrat tregtare dhe objektet luksoze të oligarkëve të lidhur me krimin e organizuar. Akti i luftës do të ketë përgjigjen e merituar”, tha ai, sikundër ka premtuar që një natë të mos flejë fare… gjumë, e të rrijë tek Teatri.
Media nxitoi që ta zhbënte seriozitetin e kësaj deklarate, duke e lidhur me faktin se kreu i opozitës nuk mund të sulmojë dot vilat e oligarkëve, pasi në dy prej tyre në periferinë luksose të Tiranës, banon edhe vetë. E vërteta është se në 7 vitet e fundit, kemi dëgjuar shumë deklarata të kësaj natyre nga Basha dhe nga ana tjetër, të nesërmen e kemi parë që të vrapojë për të bërë liderin e moderuar që do u pëlqejë shqiptarëve. Ndaj, nuk çuditet më askush, se të njëjtën gjë do të bëjë edhe pas kësaj.
Më shumë sesa tregues i fuqisë, këto lloj deklaratash janë dëshmia më e madhe, e dobësisë së tij si lider politik. Sa më e pafuqishme është opozita për tu imponuar me mjete politike, aq më shumë e trash zërin në diskursin publik lidershipi i saj, përmes gjuhës së ideve radikale dhe kërcënimeve ekstreme. Sa më pak kanë mbështetje reale popullore, aq më shumë i referohen protestave, revolucioneve, thirrjeve për armatosjen e pupullsisë, përdorimit të dhunës, të zjarrit dhe të flakëve.
Ironia është se asnjëherë nuk i janë referuar një ideje të vetme. Fikse. Të ngulitur. Të qartë. Të përherëshme. Çka do të bënte shumëkënd, që të besonte se këtë radhë e kanë seriozisht. E kanë të qartë se çfarë duan. Se çfarë do bëjnë. Si do e arrijnë. Ku janë sot. E ku duan që të mbërrijnë nesër, pasi ta kenë vënë në jetë, planin e tyre të qartë. Nëse do ishte kështu, me siguri edhe atyre që nuk janë dakord me ta, të paktën do u tërheqin vëmendjen për ti parë me seriozitet.
Por, kur një ditë flasin për revolucionin demokratik dhe një ditë tjetër për atë të vazhdueshëm. Paradite për revolucionin e përhershëm, e pasdite për atë të gjelbërt. Një herë për revolucionin e kadifenjtë, e një herë tjetër për atë të lavdishëm, nuk ke sesi të mos çorientohesh dhe të kuptosh se ke përballë një opozitë që udhëhiqen nga njerëz që në vend të liderëve frymëzues e largpamës, ke nga ata që imitojnë keq edhe “të fortët”, përmes zhargonit të tyre të varfër.
Dikush duhet ti thotë që revolucionet në këtë epokë, mund të shkaktohen nga mobilizimi i grupeve të reja politike, me një shpejtësi të atillë që ua bën të pamundur institucioneve ekzistuese, asimilimin e tyre. Ndryshe sistemet demokratike kanë aftësinë të zgjerojnë pjesëmarrjen dhe të përfshijnë kundërelitat, duke ruajtur ndërkohë edhe kontrollin politik. Historia e afërt e forcave të tilla politike në Greqinë e Italinë fqinje dhe gjetkë në Europë, e tregon më së miri këtë.
Por Lulzim Basha dhe aleatët e tij të “Opozitës së Bashkuar”, nuk janë as grupime të reja politike dhe ata vetë, janë liderë politikë po aq të vjetër sa edhe sistemi 30 vjeçar që i mban akoma në lojë. Ndaj, që të kenë suskes e tu shkojë sadopak edhe për shtat, bëjnë mirë që të gjëjnë ndonjë gjë tjetër. Se revolucionet dhe përmbysjet nuk u shkojnë më. As me fjalë, e as me vepra!