Aleati i PD-së, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka dalë hapur kundër liderit të opozitës, Lulzim Basha, duke thënë se nuk ka vullnet për të ndryshuar sistemin, pavarësisht presionit që ka nga aleatët apo shoqëria civile.Në emisionin “Repolitix” në Report Tv, Duka tha se PS-PD e kanë mbyllur marrëveshjen me kohë, madje së bashku me LSI-në. Sipas tij, Reforma Zgjedhore do të jetë thjeshtë një arnim i Zgjedhores, dhe jo një reformë rrënjësore. Për këtë, shprehet se nuk do ishte kundër nëse kjo reformë nuk do të mbyllej në 31 maj siç është përcaktuar, por mjafton që të jetë një reformë totale.

“Nuk do kishte gjë të keqe nëse do shtyhej afati, po sipas mendimit tim, mund të mos jem në të njëjtën linjë me PD reforma do ishte e plotë nëse do ishte me kirurgji, që të bëhej me sistemit. Duke qenë se i kanë shkelur syrin njëri tjetrin, që mbrojnë sistemin, PD thotë që është i hapur për ndërrim sistemi, por duan që të rregullojnë Kodin Zgjedhor. Duket sikur po arnojmë, por që të bëhet realisht ashtu siç duhet për shqiptarët, do ishte shumë mirë që të dëgjoheshin zërat e qytetarëve që të kalonte në sistem ku qytetarët të zgjidhnin atë që donin.

Basha ka thënë shpesh herë, ndoshta dhe nga presioni i aleaatëve, ka thënë se është i hapur për çdo lloj sistemi, por duket që nuk ka asnjë vullnet nga dt partitë e mëdha, dhe nga LSI, por s’më ndalon njeri që të them mendimin tim, kjo mund të jetë një kosto për mua. Nuk jemi në të njëjtën linjë me Bashën. Asnjëherë Basha nuk na ka kundërshtuar në mënyrë kategorike, duket se ka një dakordësi mes tyre, do i rregullojnë disa gjëra që këtyre u duket se ndikojnë në zgjedhje, por me sistemin s’do merremi se s’kemi kohë, Kjo më duket gjëja më e flliqtë për shqiptarët. Kanë kaluar 2 mandate, dhe prapë s’kanë gjetur. Nuk e ndryshojnë se duan të ruajnë monopolin e kandidatëve, E kanë mbyllur këtë punë pavarësisht propozimit të ambasadës Amerikane, u mbyllen dyert të rinjve në politikë”, u shpreh Duka.

Kjo deklaratë vjen pas mbledhjes së tryezës së Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, ku u ra dakord për tre çështje. Në mbledhjen e sotme u dakordësua për financimin e partive duke ulur financimin nga privati dhe rritur atë të shtetit, përfaqësimi gjinor ku 1 në 3 emrat në listë të jetë grua si dhe ndryshimi i periudhës zgjedhore.