Presidenti Ilir Meta dha shumë përgjigje në konferencën e zhvilluar këtë të premte në oborrin e Presidencës. Tha se platformën me 14 pika për rrugëdaljen nga kriza politike dhe përparimin në rrugën e integrimit ua kishte prezantuar si aktorëve ndërkombëtarë, ashtu edhe aktorëve vendas të politikës që në fillim të prillit.
Edi Rama e mohoi se ka marrë një platformë të tillë, ndërsa Lulzim Basha tha se ishte njohur me këtë platformë në javën e parë të muajit prill, ndërsa gjatë një interviste të dhënë në mbrëmje sqaroi se “nuk e ka marrë dokumentin e plotë me 14 pika, por është njohur me idenë e Metës në javën e parë të prillit”.
Kreu i PD-së gjithashtu tha se nuk i kujtohej data, por e cilëson propozimin një udhërrëfyes të mirë nga ku mund të niset për të dalë nga kriza.
Këto janë përgjigjet e Ramës dhe të Bashës sa u takon deklaratave dhe pretendimeve të presidentit Ilir Meta se platformën nuk e ka mbajtur të fshehtë, por ka njohur me përmbajtjen e saj si ndërkombëtarët, ashtu edhe Ramën dhe Bashën.
Por, ajo që pPresidenti Ilir Meta nuk tha në konferencën për shtyp të zhvilluar këtë të premte ishte se çfarë përgjigje i ktheu Yuri Kim? A e mbështeti? A e rrëzoi, apo ende është në pritje të një përgjigjeje në rrugë zyrtare?
Një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë platformë nga Ambasada amerikane nuk ka. Por, nisur nga deklaratat e Yuri Kim, mund të hamendësohet lehtësisht se propozimet e Metës nuk kanë gjetur mbështetjen e SHBA, sidomos pika 9 e platformës që i transferon kompetencat e vendimmarrjes për çështjen e reformës në drejtësi tek një këshill politik, që duhet të ngrihet, sipas propozimit të presidentit dhe jo tek Parlamenti.
Deri më tani Kim nuk duket aq e drejtpërdrejtë sa paraardhësi i saj, Donald Lu në publik. Ajo zgjedh një gjuhë më të kujdesshme, por sërish në fjalitë e zgjedhura me kujdes prej saj mesazhi është i qartë; reforma në drejtësi duhet të miratohet ashtu siç është konceptuar larg duarve të politikës, pavarësisht defekteve që ka shfaqur procesi deri më tani.
Ky ishte mesazhi që u përcoll përmes një cicërime të ambasadores amerikane në rrjetet sociale. Për shumë nga ne reagimi ishte një rrufe në qiell të hapur, ose më saktë, një rrufe e paparashikuar në stuhinë e krijuar nga aksioni i shembjes së godinës së Teatrit.
Në atë mesazh, Kim fliste për “zëra që kërkojnë vrasjen e reformës në drejtësi”. Ambasadorja amerikane nuk përmend emra, as jep më ndonjë sinjal tjetër që mund të ndihmojë për të drejtuar gishtin se kush po përpiqet që të ekzekutojë reformën në drejtësi.
Basha e Rama nxituan ta përshëndesnin sipas mënyrave të tyre. Kreu i Partisë Demokratike tha se çdo përpjekje e Parlamentit aktual për të ndryshuar reformën në drejtësi është e paligjshme, ndërsa Rama deklaronte shkurtimisht se “pajtohej” me deklaratën e Kim dhe e shoqëronte me shënimin “Ferri është bosh! Të gjithë djajtë janë këtu!”.
Presidenti Ilir Meta nuk e komentoi këtë deklaratë menjëherë. Të premten ai e nisi me një mesazh në rrjetet sociale, ku duke përkujtuar majin e protestave në burgjet e Spaçit dhe të Qafë-Barit ftonte qytetarët që të ngriheshin në protestë, pasi sipas tij, në vend po instalohet një diktaturë.
Pak pas këtij mesazhi të Ilir Metës, mesazhin e përçuar “online” një ditë më parë, ambasadorja e përforcoi para se të hynte në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, institucion i goditur nga hetimet për gjyqtarin Luan Daci, që akuzohet për falsifikim dokumentacioni. Këtu Kim kërkoi dhënien fund të “lojërave me reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore”, dy kushte të vendosura për integrimin në BE.
Reagimin si për postimin e së enjtes, ashtu edhe për deklaratën e së premtes të Yuri Kim, Ilir Meta e dha gjatë konferencës për shtyp. Ai përjashtoi se mesazhi i ambasadores amerikane i drejtohej atij. Tha se nuk bënte lojëra me reformën në drejtësi dhe gishtin e autorit të këtyre lojërave e adresoi nga Edi Rama.
Por, në gjithë këto zhvillime përgjigja që nuk e dha Ilir Meta (ndoshta edhe për shkak se nuk iu bë pyetja) është se çfarë i ka thënë Yuri Kim për platformën e propozuar prej tij? Kushedi, përgjigjen mund të mësojmë më vonë. Ajo që dimë sot është se njëri mes Metës, Ramës dhe Bashës, ose të tre njëkohësisht, kanë shkelur në një kallo (reforma në drejtësi), ku amerikanët kanë investuar para, burime njerëzore dhe kohë prej vitesh dhe nuk presin as më pak, e as më shumë, por përmbylljen e saj, pavarësisht problematikave që edhe Yuri Kim i njohur me cicërimën ku thotë se “kjo reformë nuk është perfekte…”.(SI)