Nga Alfred Peza/
Nuk reshtin kurrë së bëri politikë udhëheqësit tanë në opozitë, kurdo dhe me gjithçka. Edhe kur është pushim, edhe kur është punë. Edhe gjatë ditëve të javës, edhe ditëve të diela. Edhe gjatë periudhave normale, edhe kur është pandemi globale. Edhe kur është festë fetare, edhe kur është festë kombëtare. Edhe kur duhet të heshtin, edhe kur duhet të japin mesazhe paqe e mirësie njerëzore.
Ndaj nuk kishte sesi të bënte përjashtim nga ky rregull i pashkruar që kanë ndjekur prej 30 vjetësh, edhe në ditën e Fitër Bajramit. Ndaj kundërshtarët e Kryeministrit, e shfrytëzuan edhe këtë të dielë, për të nxitur Komunitetin Musliman që të ngrihej në revoltë kundër tij. Më shumë sesa për festën fetare, ishin të angazhuar për të bërë politikë. Në emër të qytetarëve, sigurisht. Për hallin e tyre personal, natyrisht.
Edhe të tjerë liderë politikë e bënë. Por ish Kryeministri Sali Berisha nuk zhgënjen kurrë, kur është fjala për një tendencë të tillë. Ka bërë disa postime populiste orët e fundit në rrjetet sociale, ndaj masave shtërnguese të qeverisë për të shmangur përhapjen e virusit Covid-19, të cilat parashikonin përveç të tjerash, edhe reduktimin e grumbullimeve masive nëpër sheshe për faljen e namazit.
Mediat raportuan gjerësisht se kërkonte me anë të tyre, që të nxiste komunitetin musliman, në revoltë kundër Kryeministrit Edi Rama. Nuk ka asgjë të re në gjithë këtë qasje. E ka bërë sa herë që i është dhënë mundësia. Jo vetëm ai, por edhe liderët e tjerë politikë, të “Opozitës së Bashkuar” në Shqipëri.
E kanë bërë përpara kësaj, me komunitetin e artistëve, kur ishte kulmi i debatit për godinën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Më shumë sesa për prishjen e saj, e kishin hallin që ta shrytëzonin politikisht këtë moment, që njerëzit të ngriheshin kundër qeverisë.
E bënë me qytetarët e mbyllur në karantinë, në kulmin e pandemisë globale, ndërkohë që vetë nuk lëvizën asnjë sekondë nga pragu i shtëpisë. Përmes fake news-eve dhe fantazive të denja për skenarët e filmave horror, i nxisnin qytetarët që ti rebeloheshin masave shtërnguese të qeverisë për ruajtjen e distancimit social, si e vetmja mënyrë e aplikuar në gjithë botën, për mbrojtjen nga virusi vrasës.
E bënë gjatë aksionit për prishjen e ndërtimeve që pengonin zbatimin e projektit urban për zgjerimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Tentuan që ta bënin, kur vrapuan për të manipuluar banorët e prekur nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, në zonën e qarqeve Durrës- Tiranë dhe Lezhë.
Sikundër kanë bërë me të gjitha rastet e tjera, kur deklaruan se i dogjën mandatet e deputetëve të opozitës, sepse dëgjuan zërin e popullit(?!) E për të vijuar me përpjekjet për të manipuluar për qëllimet e tyre politike, protestën e banorëve të Kukësit për pagesën në traun e rrugës së Kombit. Studentët që u ngritën në dhjetorin e 2018, për të drejtat e tyre, përpara ministrisë së Arsimit. E kështu me radhë, pafundësisht.
Të gjitha rastet, përfshirë edhe zhvillimet e ditëve e të orëve të fundit, kanë qenë përpjekje për të manipuluar qytetarët apo grupet e ndryshme të interesit, vetëm e vetëm për qëllimet e tyre politike. Mbi të gjitha, për të përmbushur obesesionin se do të mund ta rrëzojnë Edi Ramën, me revolucion apo me revolta popullore. Për ta detyruar që përmes presionit të rrugës, të ulet për të bërë pazare politike me ta, për tua dorëzuar kësisoj pushtetin në tavolinë.
E çuditshme është sesi vazhdojnë që të këmbëngulin në këtë linjë, kur e provuan me çadrën e Republikës së Re të bulevardit në 2017 dhe dështuan. E provuan me flakën e molotovëve dhe çdekretimin e 30 qershorit 2019 dhe dështuan. Zgjedhjet e reja janë sërisht në prag dhe vazhdojnë e vazhdojnë pa u lodhur, në të njëjtën linjë e me të njëjtin avaz.
Duke harruar të vërtetën e thjeshtë të këtij sistemit, se Edi Ramën nuk e mundin dot me asnjë mënyrë tjetër, përveçse me votë. Ndaj, sa harxhojnë kohë dhe energji me gjithçka tjetër, do ishte shumë më produktive, që të fokusoheshin duke ia mbushur mendjen shqiptarëve përmes programeve dhe alternativat, se mund ta qeverisin Shqipërinë më mirë se Edi Rama. Ndryshe, do dështojnë sërisht!