Barcelona i ka të qarta idetë për merkaton e kësaj vere. Blaugranat kërkojnë të ndërhynë në ato reparte ku kanë më shumë nevojë.
Por nëse në sulm duan të zëvendësojnë një lojtar që po shkon drejt fundit të karrierës si Luis Suarez që tashmë është 33-vjeç me një 22-vjeçar premtues si Lautaro Martinez, në mesfushë dhe sidomos në kabinën e regjisë, blaugranat kanë nevojë për më shumë eksperiencë dhe për këtë arsye janë gati të sakrifikojnë një talent 23-vjeçar si braziliani Arthur për një mesfushor 30-vjeçar si Miralem Pjanic.
Boshnjaku është i përzgjedhuri i drejtuesve të Barçës për t’i dorëzuar çelësat e mesfushës dhe për këtë arsye blaugranat po nxitojnë për të firmosur me yllin e Juventusit.
Klubi spanjoll kërkon ta mbyllë marrëveshjen që do të çojë Pjanic në Camp Nou deri në fund të kësaj jave dhe te Barcelona po bëjnë maksimumin për të bindur brazilianin Arthur të pranojë transferimin te kampionët e Italisë.
Ish-lojtari i Gremios do të përfshihet në tratativën që do të dërgojë Pjanic në Spanjë, pasi Arthur pëlqehet shumë edhe nga drejtori sportiv i bardhezinjve Fabio Paratici dhe trajneri Maurizio Sarri.
Vlera e dy lojtarëve në merkato është e përafërt me Pjanic që në faqen e specializuar transfermarkt kushton 52 milionë euro, ndërsa Arthur Melo kushton 56 milionë euro dhe për këtë arsye do të kemi të bëjmë me një shkëmbim kokë më kokë.