Presidenti amerikan, Donald Trump, siguroi sot gjatë 75-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore se, ashtu si në vitin 1945, Amerika do të triumfojë, këtë herë kundër koronavirusit të ri.
Fitorja e Aleatëve kundër Gjermanisë naziste u festua me një grupim shumë të vogël në Uashington, në memorialin e Luftës së Dytë Botërore të vendosur pranë Shtëpisë së Bardhë.
“Në muajt e fundit, kombi ynë ka qenë i ekspozuar ndaj fatkeqësive të jashtëzakonshme gjatë pandemisë koronavirus. Por siç kemi bërë kaq shumë herë më parë, Amerika do të triumfojë”, siguroi Trump.
Megjithë lidhjet historike midis Europës dhe SHBA-së, Trump i ka tronditur aleancat e vendosura gjatë presidencës së tij, duke u ankuar në veçanti për privilegjet tregtare të padrejta të dhëna vendeve europiane dhe pjesëmarrjes tepër të kushtueshme amerikane në NATO.