Prodhimi vendas i energjisë elektrike u rrit me 20,7 % gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, duke arritur vlerën e 1.546 GWh nga 1.281 GWh energji të prodhuar në të njëjtën periudhë një vit më parë.
INSTAT publikoi sot bilancin e energjisë elektrike, për 3 mujorin e parë të vitit, ku bën të ditur se, gjatë kësaj periudhe, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 0,9 %.
Sipas INSTAT, ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 48,0 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 51,6 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,4 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Rritja e prodhimit të energjisë elektrike ka ndikuar në rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike me rreth 4,1 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë që hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 798 GWh nga 590 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 35,2 %.
“Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) rezultoi me rritje duke arritur vlerën 346 GWh nga 84 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe humbjet jo teknike në shpërndarje janë ulur me rreth 1,4 herë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019”, bën të ditur INSTAT.