Duke komentuar një pikturë të realizuar nga babai i saj, Osman Mula, sopranoja Evis Mula tha se personazhet ishin ajo dhe i fejuari i saj, të cilët periudhën e karantinës e kanë kaluar me dashuri online.

Evis Mula: Është një histori shumë personale, praktikisht jam unë dhe i fejuari im, që gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë të dashuruar online, pra kemi vazhduar episodin e fejesës sonë vetëm nëpërmjet lidhjeve online. Unë u karantinova në shtëpi me prindërit, sepse kam jetuar shumë kohë jashtë dhe akoma nuk jam ngopur me nektarin i bacës dhe mamit.

Rudina: Evis, por besoj se Ervisi do të jetë pak i mërzitur me ty këtë periudhë që ti ke zgjedhur të karantinohesh me prindërit dhe në distancë fizike me të për një kohë relativisht të gjatë?

Evis Mula: Nuk është se e kam zgjedhur vetëm unë, qe një si përzgjedhje e përbashkët sepse nuk kishim si të bënim, na kapi të dyve në befasi, aq më tepër që ishim në fazë tranzitore të dy në punën që po bënim dhe prisnim ndryshime pikërisht në këtë periudhë të marsit dhe të prillit.

Na zuri kjo periudhë dhe piktura e babit e simbolizon më së miri, pra që është dashuria online. Megjithatë unë mendoj që dashuria ka nevojë për sprova për të treguar vërtetësinë dhe forcën e saj të vërtetë.

Rudina: Larg syve, afër zemrës, edhe kjo shprehje është e vërtetë nganjëherë për një farë kohe.