Këto imazhe tregojnë mënyrën se si koronavirusi shumohet në trupin e njeriut. Fotot janë bërë publike nga studiuesit britanikë nga Universiteti i Shkencave të Dundee. Aty tregohet sesi pjesëzat e virusit Sars-CoV-2, i cili më tej shkakton sëmundjen Covid-19, prekin indet e zorrëve të njeriut, të para në një mikroskop super të fuqishëm. Ato tregojnë sesi virusi grumbullohet dhe më pas largohet nga qelizat njerëzore të zorrëve. Studiuesit e Universitetit të Dundee punuan bashkë me ata të Institutit Hubrecht në Utrecht, të Universitetit Erasmus në Rotterdam për izolimin e pamjeve specifike. Ata zbuluan se virusi Sars-CoV-2 mund të infektojë zorrët e njeriut dhe të shumohet aty.

Duke përdorur modele të simuluara të zorrëve njerëzore, studiuesit arritën të kultivonin virusin në epruveta dhe të monitoronin reagimin e qelizave ndaj tij. Zbulimet shpejgojnë faktin se përse një e treta e pacientëve me Covid-19 kanë dhe simptoma gastro-intestinale (të zorrëve) si diarrea, si dhe faktin që virusi mund të zbulohet dhe në mostrat e feçeve.