Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk kemi prekur asnjë qindarkë të dedikuar për Rindërtimin, në kushtet kur pandemia na ka detyruar të rishikojmë financiarisht zëra të caktuar të buxhetit të shtetit dhe jam shumë optimist se së shpejti do të fillojmë të ngremë kantieret e para”.

“Ne jemi në një proces të pandërprerë pune me të gjithë donatorët. Me KE puna është në një stad shumë të avancuar dhe madje kemi thënë qartësisht edhe në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE-së se ku do të kanalizohet mbështetja direkte financiare e BE-së. Nuk ka asnjë lloj ngecje, asnjë lloj situate të veçantë lidhur me fondet e Rindërtimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne jemi në proces edhe pse kemi pasur një vonesë besoj objektive të shkaktuar nga situata e pandemisë, por jo në anën tonë, thjesht për ndërveprimet e nevojshme me të tjerët”.

Kryeministri informoi se “këtë javë financohet gara e FSHZH-së për shtëpitë individuale, dhe besoj fillon puna”. “Gara për shkollat është në një stad të avancuar. Ka mbaruar faza e parë, fillojnë përzgjedhjet e fazës së dytë për të filluar rindërtimin e shkollave. Kemi prezantuar planet e rindërtimit edhe për lagjet. Kemi një sërë planesh zhvillimore që po punohen për të kaluar në procesin e zbatimit. Nuk ka asnjë problem me fondet”, tha Rama.