Nga Lorenc Vangjeli

Perëndimi i ka zgjedhjet një mekanizëm për zgjidhjen e krizave, Shqipëria për paradoks, hyn rregullisht në krizë sa herë që ka zgjedhje. Marrëveshja e 17 majit të vitit 2017 shuajti një krizë groteske të rradhës, për t’i dhënë thellësinë më të madhe spirales së krizës që nisi aty dhe vazhdon ende!

Shpjegimi i parë për të kuptuar cfarë ka ndodhur, fillon me përpjekjen për të gjetur kush fitoi e kush humbi prej asaj Marrëveshjeje. Përgjigja e parë, automatike, sipërfaqësore dhe bardh e zi është fare e thjeshtë: fitoi Rama maksimalisht dhe maksimalisht humbi Basha. PS-ja e vetme në maxhorancë, rezultati më i ulët i PD-së në minorancë, humbja e çdo mekanizmi kontrolli dhe ndikimi të opozitës mbi qeverisjen, mentaliteti i humbësit i instaluar në opozitë, janë të gjitha detaje që do të dëshmonin portretin e triumfuesit dhe fytyrën e humbësit. Por nuk është kështu. Kështu ulërin vetëm forma dhe jo thelbi. Humbësi i vërtetë është publiku dhe demokracia edhe më tej e brishtë dhe anemike shqiptare.

Marrëveshja e mesnatës së 17 majit dhe çfarë doli më pas, janë pasojë e aktit, por jo e paktit, e hiles dhe jo e rregullit, e errësirës dhe jo e transparencës, e interesit të individit dhe jo e nevojës së shoqërisë. Ajo nuk ishte marrëveshja klasike në politikë, por pëshpëritja në vesh e dy njerëzve që gjykuan se lufta i dëmtonte të dy, kurse paqja ju jepte të dyve pushtet mbi gjithë të tjerët. Në atë ndeshje taktike tek e tek dhe kokë për kokë, Rama dëshmoi epërsi të padiskutueshme përballë dikujt që deri në atë cast kishte luajtur në politikë si në “playstation”-in që i kishin dhuruar për ditëlindjen e fundit të adoleshencës. Ramën e kishin thirrur për ta kryqëzuar në atë mbasdite të largët dhe ai, më shumë dinak se i mençur, më shumë intuitiv se vizionar, psikolog për dobësitë njerëzore më shumë se bashkëhallexhi, i vetëm kundër të gjithëve, diti fillimisht t’i ndajë kundërshtarët nga njëri-tjetri, arriti madje t’i verë përballë njëri-tjetrit dhe ju dha hapësirë në bashkëqeverisje për një muaj duke shmangur gjithë llogarinë dhe kostot e qeverisjes së tij të deriatëhershme. Fiks atëherë kur të gjithë e kujtuan të dorëzuar dhe kishin nisur të bënin “Twerking” me ëndrra pushteti, Rama kishte shpallur luftën e tij të jetës. Dhe çfarë ishte perla e zezë në atë kohë që midhjesh të vetëkënaqura, llokumi turk i pushtetit iluziv që ju dha ta mbajnë në gojë atyre që sot e quajnë sulltan, ishte aftësia e tij e pabesueshme për t’i tërhequr zvarrë kundërshtarët në ndeshje në fushën e tij dhe me armët që zgjidhte vetë. Ju afroi garë me batutat që sajonte vetë dhe debat për shallvaret që vishte po vetë. Shumë më pak Ilir Meta që po bënte provat e kostumit të ri presidencial dhe shumë më shumë Lulzim Basha ranë në këtë kurth brilant ku asgjë nuk ishte ashtu siç dukej. As miqësitë, as armiqësitë, as aleancat dhe as kundërshtitë.

Fushata zgjedhore ideale për një qeverisje është të hyjë në zgjedhje në kushtet e paqes sociale dhe të paqes me opozitën, dy dhurata që Basha i dha atëherë në këmbim të ajrit që ju afrua. I paqartë, i paduruar, i paprovuar, konfuz dhe maksimalisht naiv në kushtet e lojës serioze, Basha jo vetëm dukej, por edhe sillej si politikani që nuk synonte zyrën e kryeministrit, por kërkonte të ishte vetëm kyçi në faktorët për zgjedhjen e tij. Në shumicën dërmuese të kohës ai dukej se e kishte futur PD-në në garë për vend të dytë e tretë përballë LSI-së dhe dukej sikur më shumë donte të ishte ministër i Ramës sesa të largonte Ramën nga kryeministria. Në një farë kuptimi, 17 maji ishte dita kur Bashës i plasi cipa që ja kishte endur e qepur me zor vetes plot dy vjet në opozitë mbasi e kishin nxjerrë edhe nga bashkia e Tiranës. E gjithë sjellja e tij përballë Ramës armik me të cilin kishte gjetur miqesinë dhe armiqësia e rizbuluar me Metën që e kishte lutur si mik, kujtonte motivin e këngës së hershme me goxha burra që ishin nisur me shpresë për orgji dhe ishin kthyer në fshat si soprano lozonjare: O të zestë kolonjarë/ shkuan për p…/ e hëngrën k…/.

Gjithë sjella e PD-së në atë kohë postçadër është një manual i përkryer sesi nuk duhet të sillet një parti në politikë. Kaq e jashtëzakonshmë është gafa e asaj kohe sa ajo ka ndikuar në të gjithë vendimmarrjen që ka pasuar në atë parti, një vendimmarrje që është bërë gjithmonë e më e çartur dhe e papërshtatshme me demokracinë. Pakkush e di se nëse rezultati do të kishte qenë fare pak më ndryshe, një bashkëqeverisje Rama – Basha me një opozitë të vetme si LSI-ja, do të kishte qenë realiteti që pakush do ta ndryshonte për shumë kohë. Fati ishte me qytetarin që me mençurinë që japin shpesh numrat, ja ngeci të gjitha numrat Ramës. Më shumë se qeverisjen, tre vjet më parë, qytetarët zgjodhën institucionin e opozitës. Nëse ajo sot nuk ka më shumë finesë se Babalja dhe ka më pak fantazi se Vini, ky nuk është faji i shqiptarëve.

Sot, ndryshon skena, por jo fantazia, ndryshojnë rrethanat, por jo lehtësia e padurueshme e të njëjtëve aktorë që flasin për marrëveshje, kushte, ultimatume, vija të kuqe e zona jeshile. Zoti Basha ka arsye të trembet nga marrëveshjet. Njëlloj si ato adoleshentet që mbas një drame dashurie, ndruhen se mbeten shtatzanë edhe nëse vetëm puthen, ai është viktimë e makthit të tij. Ai dhe të tjerët duhet të kuptojnë që nuk ka marrëveshje të keqe, por rrethana të këqia për një marrëveshje dhe synime të liga të një marrëveshjeje. Pra, nuk është mjeti që gabon, por njeriu që e përdor atë në mënyrë të gabuar. Mbjellja e furtunës së rradhës në gotë dhe sjellja në çdo ditë të perëndisë në këtë vend, si në kohë lufte, është mënyra e vetme e sjelljes së opozitave në këtë vend. Por PD ka kapur ekstremin. Largimi i saj nga institucionet, djegia e mandateve dhe refuzimi i zgjedhjeve locale, janë dy nga “p.e.n.i.s.llëqet” e frikshëm mbi të cilët ajo do të ulet që të bëjë llogaritë për nesër. Duke ndenjur qetësisht mbi to sepse çdo ngut me ato akte brenda, i shkon Ramës në llogari.

Opozita duhet të kërkojë e të presë t’I rimarrë me të vetmin mjet që afron demokracia, zgjedhjet periodike, ato që la nga padituria. Rama duhet të ishte një dashnor i madh i demokracisë që të lëshojë ato që i dhuruan. Dhe ai nuk është as iluminist, edhe pse goxha i artikuluar, nuk është as aq perëndimor sa vetëdeklarohet, që të besojë në ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve. Si individ që jeta dhe pushteti i ka sjellë arrogancën si virtyt, si i vuajtur dhe i sakrifikuar në të djeshmen e tij, ai nuk ka asnjë arsye të tërhiqet në të ardhmen, përveç rastit kur tërheqja i sjell garanci vetjake dhe mbi të gjitha, rilegalizim në mos të shumicës së vetme, të pakicës që kushtëzon. Rama nuk ka kohë të mendojë që pushteti më i fortë nuk është pushteti absolut, siç duket në vështrim të parë, por pushteti që ndahet dhe ekuilibrohet. Aq më tepër kur ai i sheh të gjithë nga lartësia e padurueshme e zyrës në katin e dytë të këshillit të ministrave, hipotekën e të cilës më shumë se merita e tij, e ka firmosur naiviteti prej adoleshenti i kundërshtarit. Ndaj nuk duhet pritur se çfarë mund të lëshojë Rama, por çfarë mund të bëjë Basha në ditën e ritakimit me votën. Në jetën reale dhe jo në karriget e spektatorëve të Teatrit Kombëtar ku thotë se do të kalojë netët, ndërkohë që shfaqja luhet tjetër kund.

“Fjala”