Sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria ia ka dalë me sukses në luftën ndaj koronavirusit. Gjatë një vizite që zhvilloi në një magazinë në Lushnje, kreu i qeverisë, u shpreh se të gjitha vendet e tjera i kanë të mbyllura kufijtë, prandaj edhe nëse hapemi nuk do të thotë që do të vijnë të huaj.

Rama u shpreh se vetëm pak gjëra kanë ngelur pa u rinisur punë në Shqipëri. Megjithatë ai tha se shpreson që të mos detyrohemi të kthehemi mbrapa në lidhje me situatën e pandemisë.

“Ore hapja e kufijve se më thonë mua hape, të tërë e kanë të mbyllura. S’është puna se po e hapim ne dhe vijnë ata. Italia i ka të mbyllura.

Tani ça të them unë. Tani që dolëm me kaq sukses thonë ‘kot dolëm tani, kot e bëmë këtë punë, na hap, na hap’. Tani hapur jemi, pak gjëra kanë ngelur. Ishallah s’po detyrohemi të kthehemi mbrapa”, tha Rama.

Kreu i qeverisë pa nga afër punën e krijuar falë edhe financimit direkt nga programi i qeverisë plus fondit nga programi europian IPARD II.

Sipas Ramës, bujqësia po transformohet dita-ditës, ndërsa rasti konkret i magazinës, është transformuar në një strukturë moderne që gjeneron punësim dhe garanton rritjen e përvitshme të eksporteve në Bashkimin Europian.

Gjithashtu ai i bëri thirrje fermerëve që të organizohen dhe bashkojnë prodhimet në sisteme pasi është e vetmja mënyrë qqë ky sektor të ecë para.

“Të mbledhësh speca dhe t’i sistemosh, të mbledhësh domate dhe t’i sistemosh është e vështirë, por prapë është më kollaj se sa të mbledhësh njerëz dhe t’i sistemosh.

Edhe pastaj kur janë shqiptarë që janë lloj-lloj, secili ka mendjen e vet, secili di punën e tjetrit. Megjithatë është gjë e madhe ky program se njerëzit e shikojnë fshatin nga larg dhe të vetmet gjëra që marrin vesh janë kur shohin në televizor ato kronikat që dalin ca atje, jo s’po na shitet, jo kështu, jo ashtu dhe nuk e dinë se ç’bëhet në fshat se nuk merret media me lajmet e mira që ka kaq shumë lajme të mira, por natyrisht lajmi i keq del më shpejt”, tha Rama.