Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar sot një mbledhje on line me përfaqësuesit më të lartë të klerit shqiptar. Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, Imzot George Frendo, Kryepeshkopi Anastas, Baba Mondi, Genti Kruja dhe Ylli Doci ishin në një mendje kur kërkuan kthimin e besimtarëve pranë kulteve të tyre, nën mbajtjen e rreptë të masave të sigurisë. Kryeministri Rama nga ana tjetër, premtoi nisje të bisedimeve nga afër me përfaqësues të feve për të rishikuar një plan hapjeje pas 18majit.
“Kërkesa më e madhe që kemi është të kemi vendet e lutjes dhe adhurimit dhe të na jepni drejtimin të kujdesemi për këtë gjë, të mbajmë distancën mes njerëzve sic është thënë, të shmangen puthjet dhe takimet. Vendet e adhurimit ofrojnë shpresë dhe gëzim. T’ja japin njerëzve këtë mundësi, e përsërish duke iu përmbajtur udhëzimeve të dhëna deri tani. Komunitetet fetare kanë dhënë shembull të përulësisë dhe jemi gati për të vazhduar me këtë, gjithmonë në bashkëpunim të mirë me shoqërinë dhe në solidaritet me gjithë popullin”,- tha Kryepeshkopi Anastas.
“Në kuadër të hapjes graduale që po merret në kushtet e pandemisë kërkuam këtë takim për të diskutuar rreth hapjes graduale të objekteve të kulteve duke respektuar rregullat e distancimit social. Pra, të na lejohet të kryejmë sadopak lutje dhe adhurim në objektet tona të kultit”, u shpreh kreu i myslimanëve, Bujar Spahiu.
“Ju përgëzoj për masat në radhë të parë, pasi sic e keni thënë edhe ju vetë do të kishim pasoja më të rënda, por unë bashkohem me cfarë u tha më parë se strukturat tona lejojnë respektimin e masave, pra të mos japim dorën e të shmangim kontaktet fizke. Dëshirojmë të hapet më shumë, të kemi leje që të bëhen takime fetare si mesha apo kremtime, duke shmangur cdo rrezik”,- shtoi nga ana e tij Imzot Don Frendo. “I morëm masat ashtu sic keni udhëzuar ju, as Sulltan Novruzin nuk e festuam. I falenderoj vëllezërit e mi për këtë propozim dhe bashkohem me të”, u shpreh Baba Mondi.
Nga ana e tij kryeministri Rama shtoi: “Ajo që keni bërë është fantastike ndihma që keni dhënë është e pacmuar. Keni përcjellë një mesazh shumë të qartë për popullin shqiptar. Sa i përket shqetësimit tuaj, unë bashkohem me ju që në kuadër të masave për lehtësimin e ndërveprimeve dhe jetës së përditshme sociale është e nevojshme të adresojmë edhe situatën aspak të lehtë që kjo luftë ka krijuar mbi komunitetet tuaja dhe të lehtësojmë pengesat e mëdha në ushtrimin e aktiviteteve tuaja. Kjo është një gjë që duhet bërë në mënyrë graduale. Kjo kërkon një bashkëbisedim me ju se praktikat janë të ndryshme nga komuniteti në komunitet. Ndryshe nga aktivitetet e tjera të biznesit në rastin e komuniteteve fetare duhet bërë bashkarishit. Nga sot apo nesër ju duhet të jeni disponibël për tu vendosur në kontakt me personat që hartojnë masat lehtësuese, për të pasur një konsultim konkret, se si mund të hartohet një kalendar gradual deri në normalizimin e plotë. Nëse do hartojëm një kalendar të arsyeshëm, besoj që më 18 maj kur do të jetë konfiguruar gjithë projekti i fazës së dytë të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për institucionet fetare”.