Reagon vëllai i Balotellit, përgënjeshtron lajmet për shkëputjen e kontratës së tij

Vëllai i Mario Balotellit, Enoch Barwuah, i ka mohuar spekulimet se sulmuesit italiane mund t’i shkëputet kontrata nga Brescia, përderisa e mbrojti vëllain e vet edhe duke thënë se ai stërvitet çdo ditë si profesionist.

Sulmuesi italian i Brescias, Mario Balotelli, pritej të kthehej në seancat stërvitore të klubit sot, megjithatë Brescia u raportua se dëshiron t’ia shkëputë atij kontratën menjëherë shkaku i problemeve gjatë kohës së fundit, transmeton Gazeta Express.

Të martën, trajneri Diego Lopez dhe pjesa tjetër e skuadrës së Brecias i nisën stërvitjet në fushën e blertë, mirëpo sulmuesi Mario Balotelli nuk ishte i pranishëm në atë seancë. Mediumet italiane e arsyetuan mungesën e Balotellit duke iu referuar marrëdhënies së përkeqësuar mes tij dhe presidentit të klubit, Massimo Cellinos.

Balotelli ka qenë duke u stërvitur ndaras pjesës tjetër të skuadrës tash e një kohë, mirëpo agjencia italiane e lajmeve, ANSA, tani raporton se sulmuesi e kishte arsyetuar mungesën e tij të fundit në klub duke thënë se ka pasur dhimbje barku.

Balotelli u kthye në stërvitje sot, mirëpo ANSA raportoi se marrëdhënia e tij me drejtuesit në klub është përkeqësuar aq shumë saqë tani pritet që atij t’i shkëputet kontrata para kohe.

Megjithatë, vëllai i futbollistit, Enoch Barwuah, i ka dalë në përkrahje tani atij, duke i përgënjeshtruar spekulimet e mediave italiane.

“Të gjitha janë gjepura. Nuk e kuptoj pse gazetarët shkruajnë gjëra të tilla”, tha Barwuah, në një intervistë të dhënë për CalcioMercato.

“Mario stërvitet si profesionist çdo ditë. Unë nuk dua të flas për të, por ai është i qetë dhe është stërvitur normalisht sot”.

“Ai ka kontratë me klubin dhe kjo është e gjitha që ka rëndësi”.

Ish-futbollisti i Interit dhe Milanit, i cili së shpejti do t’i mbushë 30 vjeç, ndërsa i ka shënuar pesë gola në 19 paraqitjet e tij për Brescian në Serie A, përderisa klubi radhitet në pozitën e fundit në tabelë, me 16 pikë të fituara nga 26 xhirot e zhvilluara. /