Lidhur me propozimin për ankimimet zgjedhore në “Kushtetuese”, Ambasadori Bernd Borchard tha sot, gjatë një interviste me gazetaren Olta Blaceri se, OSBE ka mbështetur këtë reformë të rëndësishme për një kohë të gjatë dhe se shpreson të shoh shumë shpejt rezultate përfundimtare.
“Ka ardhur koha që reforma të përfundojë. Ne, si Prezencë e OSBE-së dhe simotra jonë nga Varshava, ODIHR-i, e kemi mbështetur këtë reformë të rëndësishme për një kohë të gjatë tashmë dhe shpresojmë të shohim shumë shpejt rezultate përfundimtare dhe të plota, si edhe zbatim të reformës, ku të reflektohen të gjitha rekomandimet. Prandaj, u gëzuam shumë kur të gjitha forcat politike u mblodhën në të ashtuquajturin Këshill Politik për të diskutuar këto çështje”,- tha Brochard.
“Ende vijoj të jem i inkurajuar që ata do të vijojnë punën. U takuan dje, do të takohen sërish edhe sot. Jam edhe paksa optimist, pasi për shumë nga rekomandimet tona, ndoshta jo për të gjitha, ka zgjidhje të prekshme – ende të paformuluara qartë, por të prekshme. Më lejoni të theksoj që kjo reformë është jetike. Shqipëria dëshiron t’i afrohet Bashkimit Europian dhe reforma është parakusht i BE-së”,- tha Borchard.
Lidhur me depolitizimin e komisioneve zgjedhore, Brochard tha se “është një ndër rekomandimet për të cilat debati është shumë i fortë. Ne e mbështetim plotësisht idenë e një depolitizimi të plotë të administratës zgjedhore, në mënyrë që të eliminohen të gjitha arsyet për dyshim dhe kundërshtim. Politikanët dhe individët e emëruar nga partitë në administratën zgjedhore përbëjnë një derë të pasme të hapur për kontestime. Depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore i shërben interesit të qytetarëve, duke parandaluar marrëveshjet politike në dëm të zgjedhjeve të ndershme. Reforma e administratës zgjedhore është urgjente – është një ndër rekomandimet tona më të hershme. Është po ashtu urgjente pasi duhet të vihet në zbatim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili me siguri do të ketë atëherë një përbërje tjetër, do të duhet ta zbatojë më pas edhe në të gjitha nivelet e tjera dhe kjo kërkon kohë”.
Lidhur me ankimimet zgjedhore në “Kushtetuese”, Borchard theksoi se “është një debat interesant, një ide e re. Është sigurisht më mirë se sa të mbështetesh te njerëz që nuk e kanë kaluar vetingun, ku nuk mund të mbështetesh 100 për qind. Prandaj, përfshirja e gjykatave më të larta është patjetër një opsion”.
I pyetur nëse është apo jo e realizueshme kërkesa e opozitës për aplikimin e identifikimit biometrik në të gjithë vendin dhe një projekt pilot për votimin dhe numërimin elektronik, ambasadori theksoi se, “lejomëni të theksoj se tani po prekim çështje të cilat nuk janë pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Kjo është diçka e mundshme. Di dy shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, që e përdorin identifikimin biometrik. Pra, në parim, është e mundur. Nevojitet konsensus dhe ky konsensus duhet të jetë i shpejtë, pasi zbatimi kërkon kohë. Duhet bërë procesi i prokurimit, duhet përgatitur pajisjet, duhen kalibruar, duhen futur të dhënat, duhen testuar, në mënyrë që të mos ketë asnjë problem ditën e zgjedhjeve. Pra, shqetësimi im është koha – duhet të ndodhë shumë shpejt. Nëse vendoset, ne, sigurisht, do ta mbështetim Shqipërinë për zbatimin. Por ky është plotësisht vendim që i takon Shqipërisë ta marrë”.
Lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor, “unë sigurisht e kuptoj, madje edhe e mirëkuptoj dëshirën për të ndryshuar sistemin zgjedhor, por kjo ka nevojë për një mazhorancë të fortë. Për shumicën e propozimeve të diskutuara duhet madje ndryshimi i Kushtetutës, pra dy të tretat e votave në parlament. Dhe, për momentin, duket se kjo shumicë nuk është arritur akoma”.
“Ky është një diskutim thelbësor, me pasoja të shumëfishta, për të cilin nevojiten, gjithashtu, hapa zbatimi. Por edhe këtu duhet të shtoj se as OSBE-ja dhe as ODIHR-i nuk rekomandojnë sisteme zgjedhore të veçanta. Ka shumë sisteme legjitime, dhe ky është një vendim që i takon Shqipërisë ta marrë, jo neve. Në momentin që do të ketë një vendim, natyrisht që ne do të mbështesim zbatimin e tij”,- tha ai.
“Blerja e votës është një problem serioz, patjetër. ODIHR-i e ka vendosur ndër rekomandimet e tij kryesore. OSBE/ODIHR-i ka rekomanduar, gjithashtu, masa proaktive nga Prokuroria dhe një bashkëpunim më të mirë me organet e tjera ligjzbatuese, si policia, për të hetuar krimet zgjedhore. Prandaj, na vjen mirë që ekzistojnë ide konkrete për të forcuar rolin e policisë dhe të prokurorisë në këtë kontekst. Tashmë duket se po shkohet drejt një konsensusi”,- shtoi Brochard.
“Ndryshimet ligjore, nëse zbatohen siç duhet dhe adresojnë pa mëdyshje problemet reale, janë një hap thelbësor përpara, sigurisht. Por duhet, gjithashtu, vullnet politik për të miratuar ndryshime të tilla, si edhe vullnet politik për t’i zbatuar ato me mirëbesim. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, ne bëmë edhe disa rekomandime të tjera në këtë fushë, si për shembull,angazhim konkret dhe të mirëfilltë nga partitë politike për të luftuar praktikat e blerjes së votës, si edhe refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale. Kjo do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut tek integriteti i procesit zgjedhor”.
“Por, të mos harrojmë se ka edhe çështje të tjera në këtë kontekst, si për shembull, abuzimi me burimet shtetërore, presioni ndaj punonjësve publikë, si edhe praktika joetike e shpërndarjes së të ashtuquajturave kasetave të gatshme dhe më pas shfaqja e tyre pa asnjë lloj identifikimi që ato vijnë nga partitë dhe jo nga gazetarët. Pra, ka ende mjaft për të bërë”,- tha Brochard.
“Kjo është përsëri një çështje, e cila kërkon konsensus politik. Deri më tani unë nuk e dalloj apo nuk e ndiej këtë konsensus. Por, sërish, ky është një vendim që duhet të merret nga Shqipëria dhe shqiptarët, dhe partitë në parlament dhe jashtë parlamentit. Nuk ka asnjë detyrim, as rekomandim nga ne për ta bërë një gjë të tillë, por është diçka që është e mundshme”,- shtoi Ambasadori OSBE.