Ditën e martë, më 26 maj në orën 11:00 do të zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Politik të Reformën Zgjedhore. Mazhoranca ka rënë dakord me opozitën që të zhvillojnë mbledhjen të martën. Kështu opozita i është rikthyer tryezës së Reformën Zgjedhore.

“Duke qenë se dita e hënë i bie festë Bajrami e për rrjedhojë ditë pushimi, OSBE ka mundësuar rezervimin e sallës për takimin e grupit të punës për reformën zgjedhore, ne date 26 Maj 2020, ora 11:00 tek Pallati Kongreseve. Pra, mbledhja zhvillohet ne 26 Maj, ora 11:00 tek Pallati Kongreseve” deklaroi PS-ja, teksa më parë kishte propozuar edhe 2 data të tjera, në 21 ose 22 maj, që u refuzuan nga opozita dhe data e tretë ishte 26 maji.

Më herët, Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike dhe Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim i dërguan një letër përfaqësuesve parlamentarë në ketë grup, Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, ku i propozonin që mbledhja të zhvillohej të hënën. Por duke qenë se e hëna i bie festë, mbledhja është shtyrë për të martën.

Afati për mbylljen e Reformës Zgjedhore është deri më 31 maj. Kreu Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi një ditë më parë se nuk ka braktisur “Zgjedhoren”. ku theksoi se do të marrin pjesë në tryezë. Ky vendim u përshëndet nga kryeministri Edi Rama, SHBA-ja dhe BE-ja. Sipas tyre tani është koha për kompromis.