“Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen”, deklaroi pak minuta më parë Rudina Hajdari.
Hajdari kërkoi mosmbylljen e mbledhjes derisa të arrihet kompromisi për këto çështje:“Sistemin Zgjedhor; Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve; Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore; Kolegjin Zgjedhor.”
“Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqiptarët, qartazi, sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura. Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30-vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi i administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar. Unë mbetem e vendosur për t’i zgjidhur këto çështje, ndaj i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat.”