Futbolli më në fund rikthehet në fushat e gjelbra. Bundesliga gjermane është liga e parë kryesore evropiane që bën hapin e parë në rrugën drejt kthimit në normalitet teksa këtë fundjave do të shohë skuadrat e saj të zbresin në fushën e lojës.

Sfida e madhe e rikthimit të kampionatit gjerman të futbollit është pikërisht derbi i Ruhrit mes Borussia Dortmund dhe Schalkes. Në garë për titullin është edhe Leipzig që do të luajë ndaj Freiburgut, ndërkohë që me interes priten edhe Dusseldorf-Paderborn, një sfidë kjo mes skuadrave që janë në luftë për mbijetesë, si dhe Hoffenheim-Hertha dhe Eintracht-Moenchengladbach. Kampionët e Gjermanisë të Bayernit të Mynihut do të në fushën Union Berlin dhe është kjo sfida kryesore e ditës së diel.

Kjo javë e rifillimit të Bundesligës do të mbyllet me Werder-Leverkusen. Skuadra e Bremenit ku aktivizohet Milot Rashica nuk do të ketë sulmuesin Pizzarro në dispozicion që është në karantinë për shkak se e bija doli pozitive me Covid-19. Por admiruesit e futbollit gjerman do t’i gëzohen më në fund edhe sfidës në distancë mes dy bomberave; Robert Lewandowski që ka vënë në shënjestrën e tij Këpucën e Artë dhe Erling Haaland që ka fituar shumë shpejt zemrat e tifozëve të Dortmundit me 9 gola të shënuar në 8 ndeshje me fanelën verdhezi.

Në total do të jenë 82 ndeshje që do të luhen në 42 ditë me klubet që do të zbatojnë një protokoll strikt, duke nisur nga zhvillimi i sfidave me dyer të mbyllura, dicka që e bën këtë fundsezoni të Bundesligës shumë të cuditshëm pasi të gjithë jemi mësuar të shohim stadiumet gjermane të jenë shumë të zhurmshme nga tifozët që i mbushin ato plot e për plot. Futbollistët do të kryejnë 2 teste në javë, ndërkohë që gjatë ndeshjeve do të kryhen 5 zëvendësime. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi është se Bundesliga do të rikthehet dhe në Shqipëri admiruesit e këtij kampionati do të kenë mundësi ta shohin nëpërmjet platformës Digitalb.