OSBE ka ndarë një foto, ku shihen negociatorët e procesit të Reformës Zgjedhore. Në përshkrimin që i bën fotografisë, OSBE shprehet se janë të gëzuar për rinisjen e punës të tryezës zgjedhore. “Gëzohemi që shohim rifillimin e punës për reformën zgjedhore. I nxitim të gjithë aktorët politikë të ecin përpara e të mos e lënë të zvarritet këtë proces të rëndësishëm, thuhet ne postimin e OSBE.
Në tryezën e Reformës Zgjedhore nuk ka marrë pjesë opozita, e cila ka qenë një nga nxitëset kryesore të kësaj reforme. Ndërkohë, opozita i ka dërguar një letër maxhorancës , duke e akuzuar atë se ka bllokuar reformën. Në letrën e firmosur nga dy anëtarët e opozitës në Grupin e Punës të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili thuhet se “deklaratat për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për antarësim”.
Sipas opozitës, “bllokimi i punës për Reformën Zgjedhore në fakt është një sjellje e hershme e qeverisë”. “Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite”, thuhet më tej, teksa kërkohet mbledhje ditën e diel ose të hënën me tre pika të përcaktuara si rend dite.
Menjëherë ka reaguar edhe deputeti i PS Damian Gjinkuri në lidhje me kërkesën e opozitës. Maxhoranca shprehet e gatshme për të rifilluar punën në Këshillin politik me opozitën për reformën zgjedhore. Përfaqësuesi i PS, deputeti Damian Gjiknuri i është përgjigjur letrës së dy përfaqësuesve të opozitës Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili duke përshëndetur pa rezervë “qëndrimin e ri i si një reflektim serioz në raport me deklarimet publike të bëra ditët e fundit”.
Në emër të maxhorancës ai shprehet se “konfirmojmë praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, të cilën në kushtet e diktuara nga COVID-19, mundësisht ta zhvillojmë përmes hapësirës digjitale”.