Seria A po përgatitet të fillojë përsëri, pas njoftimit për shtyp të FIGC, bërë të mërkurën në mbrëmje. Vullneti është që Serie A, Serie B dhe Serie C të rifillojnë, edhe pse së pari do të na duhet të presim mendimin përfundimtar të qeverisë dhe të Komitetit Shkencor Teknik. Protokolli i ri, joformalisht, tashmë iu është dorëzuar disa ekipeve për informacion. “Il Messaggero”, në numrin e sotëm shpjegon cilat janë pikat më të rëndësishme të këtij dokumenti prej 36 faqesh, i cili me siguri do t’i dorëzohet Kryeministrit deri në 28 maj.

Ndeshjet, të cilat do të luhen pothuajse çdo ditë, nuk do të planifikohen në orën 15:00, siç qarkulluan fjalë fillimisht, por në varësi të transmetimeve televizive, në kohë të ndryshme gjatë ditës. Me sa duket, ndeshja e parë e çdo dite do të luhet jo para orës 16:00. Shumica e njerëzve do ta shohin futbollin duke filluar nga ora 18:00 deri në 21:00. Lojtarët duhet të shmangin përdorimin e njëkohshëm të tunelit dalës nga stadiumet, ashtu si edhe festimet kolektive të golave. Nuk ka më fëmijë që shoqërojnë skuadrat kur dalin në fushë, as shtrëngime duarsh. Lojtarët do të pinë ujë në shishe të personalizuara, ndërsa dhomat e dopingut, gjithashtu, do të jenë të ndara.

Stadiumet do të ndahet në tri zona: ajo teknike, shkallët dhe jashtë impiantit. Maksimumi për zonë do të jenë jo më shumë se 100 persona. Pra, gjithsej mund të jenë 300 persona të pranishëm, të cilët do të kontrollohen dhe duhet të kenë një vetëçertifikim. Skuadrat duhet të arrijnë në ndeshje të ndara, padyshim të gjithë anëtarët e tyre duhet të mbajnë maska. Arbitrat do të vijnë së pari, pastaj skuadra mysafire dhe në fund ajo vendase. Autobusët dhe dhomat e zhveshjes duhet të dezinfektohen si para, edhe pas lojës.Gjithashtu, shumë interesant është një ndryshim që prek në një farë mënyre si gjyqtarët, ashtu edhe lojtarët. Futbollistët nuk do të jenë më në gjendje të protestojnë. Ata duhet të qëndrojnë në një distancë prej një metër e gjysmë nga gjyqtarët. Specifikime të sakta janë dhënë gjithashtu për shtypin. Vetëm të licensuarit e të drejtave televizive do të kenë qasje në stadiume. Do të ketë intervista, por të gjithë ata që do të flasin duhet të ruajnë distancën një metër e gjysmë. Konferencat për shtyp do të bëhen nga klubet, më pas do të shpërndahet për mediat, siç është tashmë rasti për “Formula 1”. Një protokoll “ad hoc” sanitar është përpiluar edhe për udhëtimet e skuadrave.