Koreja e Jugut do të rikthejë masat shtrënguese nga nesër, pas raportimeve për një rritje të rasteve ditore me koronavirus. Muzeumet, parqet dhe galeritë e arteve në Seul do të mbyllin dyert nga e premtja, ndërsa kompanive do t’u kërkohet që të kufizojnë oraret për punonjësit. Lajmin e bëri me dije ministri i Shëndetësisë së vendit aziatik, Park Neung-hoo, pasi sot, në Korenë e Jugut, u raportuan 79 raste të reja, numri më i lartë që nga 5 prilli.
“Kemi vendosur për të shtrënguar masat e karantinës në Seul për dy javët e ardhshme. Ftojmë qytetarët që të shmangin grumbullimet dhe të mos shkojnë në bare apo restorante”, tha ministri. Ai shtoi se nëse në 7 ditët në vijim do të regjistrohen më shumë se 50 raste në ditë, atëherë Koreja e Jugut do t’i rikthehet plotësisht karantinës.
Distancimi social në Korenë e Jugut është lehtësuar javët e fundit, me muzeumet dhe kishat që janë hapur. Gjithashtu, disa sporte si futbolli dhe bejsbolli kanë nisur sezonin e ri, edhe pse pa tifozë. Edhe nxënësit janë kthyer në shkolla këtë javë.
Frika për një valë të dytë të Covid-19 në Kore do të rrisë shqetësimin edhe për shumë vende evropiane, të cilët kanë marrë të njëjtat masa për ta parandaluar këtë valë.