Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish deputetit Niko Faber.“Me trishtim mora vesh ndarjen nga jeta të ish deputetit Niko Faber. Niko Faber ka shërbyer për dy mandate, 1997-2001 dhe 2001-2005 si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur në qarkun e Korçës. Përkushtimi, maturia, qytetaria, kultura legjislative dhe lidhjet e ngushta me zgjedhësit dhe qytetarët ishin cilësi të vyera të kolegut tim Niko Faber.
Këto cilësi ai i shfaqi në jetën dhe veprimtarinë e tij parlamentare, politike e shoqërore dhe nëpërmjet tyre ndërtoi një model të deputetit shqiptar, një shembull referimi për kolegët dhe gjithë funksionarët publikë në Shqipëri. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, si edhe në emrin tim personal i shpreh familjes, bashkëshortës, vajzës, djalit dhë të afërmve, ngushëllimet më të ngrohta për humbjen e njeriut të dashur.”, shkruan Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të ish deputetit Niko Faber.