Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar lidhur me operacionin e zhvilluar ditën e sotme në vendin tonë, ku kanë rënë në pranga të paktën 19 persona për drogë.
Lleshaj shkruan se nga ky operacion i rëndësishëm janë arrestuar edhe dy policë të përfshirë në veprimtari kriminale. Më tej Lleshaj shton se policia është jo vetëm imazhi i drejtuesve të saj, por edhe i vetë shoqërisë.

Ministri Lleshaj në fb:

Policia e Shtetit, SHÇBA dhe Prokuroria finalizuan sot një operacion të rëndësishëm, në sajë të të cilit, krahas të tjerëve, u arrestuan edhe dy punonjës policie për përfshirje në veprimtari kriminale. Procesi i ndarjes së Policisë nga ata që nuk e meritojnë nderin e të shërbyerit në radhët e saj do të vijojë me rigorozitet të plotë.

Policia është jo vetëm imazhi i drejtuesve të saj, por edhe i vetë shoqërisë. Si e tillë ajo duhet dhe do të jetë larg kujtdo që nuk i shërben me nder dhe angazhim interesit publik. Përgëzime për këtë operacion të suksesshëm për Policinë, SHÇBA dhe Prokurorinë!