Takimi mes Federatës së Futbollit të Italisë, Lega Serie A dhe ekipit mjekësor ka përfunduar dhe tani është zbuluar se në të janë rishikuar tre pika të protokollit për rinisjen e kampionatit këtë sezon. Sky Sport Italia raporton se masat e vetëizolimit në rast se identifikohet dikush i infektuar me koronavirus, largimi dhe përgjegjësitë e stafit mjekësor kanë qenë tri pikat e diskutimit, transmeton Gazeta Express.
Sipas po të njëjtit medium, ato janë vlerësuar si jo mjaftueshëm të mira për klubet e Serisë A. Të enjten shpërtheu kaosi lidhur me protokollin e propozuar për rinisjen e kampionatit më 13 qershor, përderisa seancat stërvitore në grup do të lejoheshin që nga e hëna.
Shumë nga klubet nuk janë të gatshme ta nisin procesin e nevojshëm për fillimit e stërvitjeve ekipore dhe për këtë arsye ato kanë kërkuar për një zgjidhje tjetër, duke i theksuar tri ndryshime para rinisjes së kampionatit. Kërkesat e bëra nga klubet e Serisë A ishin që të mos futet i gjithë grupi në karantinë nëse identifikohet një i infektuar, të mos duhet të izolohen së bashku gjatë gjithë kohës lojtarët dhe të mos ketë obligime ligjore për mjekët. Protokolli i cili ishte vendosur nga Komiteti Teknik dhe Shkencor i qeverisë italiane tani do të rishikohet dhe do të qartësohet gjatë orëve të ardhshme, përmes një deklarate që do të lëshohet për media.