Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shprehu bindjen se me hapjen e sezonit turistik, ky sektor do të jetë një nga ndihmesat e mëdha të ekonomisë, pavarësisht se turizmi është një nga degët më të goditura nga COVID-19.
Gjatë një interviste televizive, Klosi theksoi se turizmi është një nga shanset që të rikuperojmë ekonominë, është një nga degët që mund të prodhojë para për ekonominë dhe të japë optimizëm në menaxhimin e postsituatës COVID-19.
“Ne në Shqipëri kemi 12 muaj mundësi që të presimin turistë dhe të bëjmë turizëm, por për sa i përket hapjes do të ndjekim protokolle dhe rregulla që garantojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve” – tha Klosi.
Të gjithë duam që turizmin ta fillojmë që nesër, por shpjegoi ai, duhet të jemi të bindur në garantimin e zbatimit të protokolleve. “Në kuadër të stategjisë së mbrojtjes, kemi hapur bar-restorantet dhe për turizmin distancimi dhe higjena janë regullat kryesore. Kur themi që do të hapim strukturat ato do të funksionojnë sipas rregullave me qëllim ruajtjen e shëndetit të njerëzve”- tha Klosi, ndërsa theksoi se, me institucionet e linjës po diskutojmë sesi do të funksionojë sezoni duke garantuar dy kushte, distancimin social dhe higjienën.
Ministri informoi se brenda këtij muajit do të kemi hapjen e kufijve tokësorë.
“Për këtë kam patur diskutim me kolegët nga vendet e rajonit nga Kosova, Mali i Zi, Maqedoninë e Veriut ku të katër vendet jemi shprehur të gatshëm për hapjen e kufijve. Ndërsa kam komunikuar me palën greke, por Greqia është pak më shumë me rregullat europiane dhe kemi një dakordësi bilaterale, që kur ata të kenë një hapje më shumë europiane, ne të fillojmë hapjen me Greqinë”- tha Klosi.
Sipas tij, ne duam që me vendet e rajonit të kemi një hapje të kufijve tokësorë brenda këtij muaji dhe kjo do të jetë shumë pozitive.
“Heqja e karantinës në momentin e hapjes së kufijve duhet parë me shumë kujdes, paralelisht me respektmin e hapësirave mes çadrave në plazhe, reduktimin e plazheve masive, me qëllim që të kemi struktura të gatshme për pushuesit, që i kemi shumë të nevojshme edhe për kontributin në ekonomi”- tha Kosi
Ai tha se, lëvizjet e brendshme japin 80% kontribut në biznese në të gjithë vendin.
“Me operatorët turistikë të vendeve nga Moldavia, Bjellorusia e Polonia dhe me vendet skandinave kemi filluar diskutimet për fillimn e çarterave të parë në fillim të qershorit. Kemi një hapje në radhë të parë me kufijtë tokësor me turizmin e rajonit”- deklaroi Klosi
Ai bëri apel për qytetarët të fokusohen te turizmi i brendshëm. Investimet në resorte, hotele dhe çmimet konkurruese e bëjnë Shqipërinë destinacion turistik të preferuar.
“Jemi në komunikim me operatorët turistik dhe ditët e turizmit nuk do të digjen nga fashat dhe ajo që po punojmë është që ta shfytëzojmë sezonin shtator-tetor e deri nëntor”- tha Klosi.
“Eshtë momenti të pushojmë shqip. Turizmi është një biznes i rëndësishëm që jep 35% kontribut dhe potencialet për shfrytëzimin tij janë të shumta në Shqipëri”, tha Klosi.