Këtë verë Shëngjini do të ketë edhe një tjetër shëtitore që do të zgjatet në drejtim të Kunes.
Pushuesit që do të zgjedhin këtë zonë turistike gjatë sezonit veror do të mund që ti shijojnë xhirot e tyre duke përshkuar thuajse të gjithë brezin e pishave ndërsa përballë tyre do të kenë detin. Bashkia e Lezhes ka suportuar dhe mbështetur bizneset e zonës duke hartuar projektin që do të financohet pikërisht nga sektori privat për ti dhënë kësaj zone turistike një pamje edhe më tërheqëse.
Tashmë shëtitores “Willson” do ti shtohen 1.2 km të tjerë dhe ky investim që tashmë ka nisur do të përfundojë brenda muajit qershor të këtij viti. Investimi i ri i dakordësuar sipas një plani strategjik të Bashkisë Lezhë për rikualifimin e bregdetit deri në Kune parashikon ndërtimin e një shëtitoreje që do ti përshtatet më së miri fluksit gjithnjë në rritje të vizitorëve e pushuesve që prej pranverës dhe deri në vjeshtë duke kulmuar me sezonin turistik veror. E konsideruar një nevojë për të rritur interesin edhe në zonën e Kunes dhe plazhin e mrekullueshëm të saj, kjo shëtitore parashikohet të jetë 5 metra e gjerë ndërsa do të ketë edhe 2 metra të tjera gjelbërim duke iu përshtatur në këtë mënyrë brezit të pishave që përshkon thuajse të gjithë bregdetin e Kunes.
Paralelisht po ndërhyhet edhe me heqjen e kioskave që janë ndërtuar në zonë ndër vite dhe paraqisnin një imazh aspak të përshtatshëm për një zonë turistike të Shengjinit, ndërsa do të asemblohen vetëm ndërtimet me leje dhe që i përshtaten planit të bashkisë në këtë bregdet. Punimet tashmë kanë nisur për ndërtimin e shëtitores së re dhe ato do të përfundojnë me nisjen e fluksit të pushuesve në muajt korrik – gusht por që me siguri do të bëjë që Shengjini të marrë sërish vëmendje të shtuar edhe këtë vit pavarësisht situatës së krijuar.
Këto ndërhyrje që parashikojnë edhe rikonstruksionin e trotuareve që përshkojnë qytetin, rikonstruksionin e lagjeve të vjetra të këtij qyteti, pastrimin me mjete teknologjike, ulja e taksave për të mundësuar uljen e çmimeve për vizitorët e turistët, një strategji më efikase për largimin e mbeturinave si dhe një vëmendje e shtuar për sigurinë në plazhe do të jenë faktorët kryesor që do të japin ndikim në tërheqjen e një numri të lartë pushuesish dhe vizitorësh.
Burime nga Bashkia e Lezhës ka bërë me dije se brenda muajit maj do të përfundojnë shumë ndërhyrje infrastrukturore ashtu si edhe pastrimi i të gjithë vijës bregdetarë të kësaj bashkie për të vijuar menjëherë me përgatitjet për vendosjen e kullave të vrojtimit, shtimin e numrit të vrojtuesve dhe sigurisht duke monitoruar respektimin e të gjitha masave mbrojtëse dhe zbatimin e tyre. Kjo do të jetë një verë ndryshe por Bashkia e Lezhës është e bindur se pavarësisht situatës do të jetë sërish plazhi më i frekuentuar nga pushuesit.